MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në konferencën “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna në shkollë”

24 Qershor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna në shkollë”, i cili është zbatuar përgjatë dy viteve nga Qendra për Arsim e Kosovës – KEC me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it dhe të BE-së në Kosovë dhe në bashkëpunim me MAShT. Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi i rezultateve të projektit dhe rekomandimeve për hapat e mëtutjeshëm në këtë sektor.

Ministri Bajrami, me këtë rast, e vlerësoi lartë rëndësinë e projektit për parandalimin e rasteve të dhunës në shkollë, si problematikë me përmasa globale.

“Projekti për parandalimin e dhunës në shkolla është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse kjo dukuri është problem global, sidomos për shtetet e tranzicionit. Dhuna në shkollë është mjaft shqetësuese për Republikën e Kosovës, pa marrë parasysh numrin e rasteve të tilla, në një periudhë kur jemi duke punuar për të ofruar shkolla cilësore dhe humane”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami tha se, objektivë parësore e Ministrisë së Arsimit është edukimi cilësor me mësimdhënës të përgatitur dhe programe të përshtatshme mësimore, në frymën e të qenit qytetarë pozitiv dhe lojal ndaj vendit. 



Qëllimi i projektit ka qenë përkrahja e shkollave për të zbatuar Rregulloren QRK 21/2013 për Protokollin për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar, përmes fuqizimit të kapaciteteve të shkollave dhe ngritjes së vetëdijes për ta trajtuar në mënyrën e duhur problemin e dhunës. Projekti ka mbështetur edhe zhvillimin e Udhëzuesit për zbatim të Protokollit dhe Udhëzuesit për krijimin e ekipeve të ndërmjetësimit mes bashkëmoshatarëve, të cilët janë përdorur si bazë për organizimin e sesioneve informuese/trajnimeve nëpër shkollat e Kosovës.

Last modified: 29 Gusht, 2022