MASHT

Ministri Buja: Higher-KOS, projekt i rëndësishëm për Kosovën

26 Mars, 2012

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka marrë pjesë në konferencën e cila shënon lansimin e Projektit “Higher- KOS – Promoting Institutional Development in Higher Education and Research in Kosovo” (Higher-KOS- Promovimi i Zhvillimit Institucional në Arsimin e Lartë dhe në Shkencë në Kosovë).

Ministri Ramë Buja, shprehu kënaqësinë e tij për fillimin e implementimit të këtij projekti që “për ne në Kosovë është shumë i rëndësishëm”. Ai falenderoi shtetin austriak për ndihmën që i ka dhënë arsimit në Kosovë për vite me radhë dhe theksoi se dikasteri që udhëheqë ai do të jetë gjithmonë i gatshëm të përkrahë ata që duan të na ndihmojë. Poashtu, ministri theksoi faktin se nga ky projekt do të përfitojnë kryesisht kandidatët për studime të doktoraturës dhe atyre të post-doktoraturës dhe tha se kjo është shumë e rëndësishme për institucionet tona dhe për arsimin në përgjithësi.

“Edhe Ministria e Arsimit e ka shpallur këtë mandat si mandat cilësie, pa pretenduar se këtu përfundon cilësia, por duam të lëmë gjurmë të dukshme në këtë drejtim”, u shpreh ministri Buja.
Ministri i Arsimit, pasi që theksoi se “jemi insistues ta realizojmë atë që quhet vlerë”, tha se këtë vit janë hapur edhe studimet e doktoratës në Kosovë në 10 fusha studimore dhe në 34 programe.

Ai përmendi edhe faktin se sapo është kthyer nga një vizitë në Londër, ku me përfaqësuesit e Universitetit prestigjioz të Oksfordit dhe të Kembrigjit, është diskutuar për realizimin e një marrëveshje me të cilën studentëve kosovar do t’iu krijohet mundësia për të studiuar në këto universitete prestigjioze.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova dhe ai i Universitetit të Prizrenit, Mazllum Baraliu theksuan rëndësinë e projektit, ku përfitues do të jenë arsimi i lartë dhe shkenca.

Ndërsa, Christuan Geosits, i cili është edhe përgjegjës për projektin, tha se kjo është një vazhdimësi e aktiviteteve austriake në arsimin e lartë dhe në shkencë. “Jam optimist se arritjet do të jenë të matshme”, theksoi ai, ndërsa përmendi se në vitet në vijim, MAShT-i, universitetet publike të Kosovës, Agjencioni i Kosovës për Akreditim, Qendra e NARIC-ut dhe Këshilli Kombëtar i Shkencës do të bashkëpunojnë ngushtë me expertët dhe institucionet austriake me qëllim që bashkërisht të rrisin cilësinë në edukim, të promovojnë shkencën dhe të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe në qeverisje të mirë të institucioneve të përfshira.

Ky Projekt, që do të zgjasë tri vjet, (deri në dhjetor të vitit 2014), do të financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim, me bashkëfinancim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe implementohet nga konzorciumi i tri institucioneve partnere: WUS-Austria (World University Service), ZSI (Center for Social Innovation) dhe OeAD (Austrian Exchange Service).

Projekti Higher-KOS, me përkrahjen që do t’u ofrojë institucioneve arsimore të Kosovës, duke ofruar rreth 15 PhD/PostDoc bursa, afro 10 grante për hulumtime shkencore, partneritete programore me universtete austriake, po edhe me ato në rajon, si dhe me shumë veprimtari të tjera, do të kontribuojë në funksionimin sa më të mirë të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë, po edhe të atij shkencor në përputhje me vlerat, praktikat dhe standardet evropiane.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.