MASHT

Vazhdon programi Avancimi i Kualifikimit të Mësimdhënësve

10 Mars, 2012

Në hapjen e ligjëratave për grupin e dytë të mësimdhënësve që përfitojnë nga programi, zëvendësministri Mustafa theksoi se ata janë të vetmit mësimdhënës në Evropë ku shteti kujdeset për arsimimin e tyre.

Zëvendësministri Arsimit Nehat Mustafa dhe Prorektori për Arsim në Universitetin e Prishtinës Bajram Berisha, të premten morën pjesë në ligjëratën e parë nga Programi për Avancimin e Kualifikimit të Mësimdhënësve (AKM).
Implementimi këtij programi ka filluar vitin e kaluar, ndërsa po implementohet nga Fakulteti i Edukimit në Prishtinë dhe qendrat tjera Gjakovë, Prizren dhe Gjilan.

Duke folur për rëndësinë e këtij programi, zëvendësministri Mustafa tha se me këtë program do të përfitojmë të gjithë. “Por, ju jeni përfituesit më të mëdhenj. Ju jeni të vetmit në Evropë, për arsimimin e të cilëve përkujdeset vet shteti. Qëllimi është që të ngrisim përformancën tuaj, të ofrojmë njohuri të reja dhe krahas kësaj të ndikojmë në ngritjen cilësisë në mësimdhënie dhe ngritjen e përgjithshme të cilësisë në arsim. Ky program do të jetë i rëndësishëm edhe me rastin e licencimit tuaj, ndërsa diplomat që do t’i merrni janë të barasvlershme me ato që marrin studentët, të cilët ndjekin studimet e rregullta. Ky është një rast i mirë për ju “, tha Mustafa.

Ndërkaq, prorektori Berisha tha: “Aftësimi i juaj profesional, marrja e njohurive të reja do të bëjë që nxënësit tuaj, gjeneratat e reja, të na shpiejnë më shpejt drejt integrimeve evropiane. Për këtë qëllim Universiteti i Prishtinës ka angazhuar profesorët më të mirë, ndërkaq përvoja e mirë e juaja në procesin edukativo-arsimor është një shans më me mirë që të merrni njohuritë e duhura ne fushat përkatëse”. 
Ndërsa, gjatë ditës së sotme, zëvendësministri Mustafa bëri hapjen e ligjëratave edhe në qytetin e Gjilanit për grupin e dytë të mësimdhënësve që do të përfitojnë nga programi AKM.

Me këtë rast, zëvendësministri Mustafa foli për politikat e Qeverisë së Kosovës në fushën e arsimit. Ndërsa, rëndësinë e këtij programi për arsimin kosovar e theksuan edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, drejtoresha e programit AKM, Linda Grapci dhe profesori universitar Islam Krasniqi.

Ligjëratat, ashtu si vitin e kaluar, do të mbahen kryesisht ditëve të vikendit, ndërsa pas përfundimit të vitit shkollor, ligjëratat do të mbahen edhe gjatë gjithë javës.

Përzgjedhja e kandidatëve është bërë me rekomandimin e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe në bashkëpunim me MAShT-in, ndërsa sivjet janë përfshirë rreth 2 mijë kandidat (mësimdhënës) nga fusha të ndryshme arsimore .

Last modified: 29 Gusht, 2022