Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së konferencës “Java e Albanologjisë”, e cila këtë vit do të qëndrojë e hapur nga data 15 deri më 19 qershor.
Ministri Bajrami, me këtë rast tha se, “Java e Albanologjisë” është ngjarje shkencore e një rëndësie të veçantë për vendin dhe se studimet e albanologjisë janë me interes të veçantë për Republikën e Kosovës, duke pasur parasysh faktin se këto studime fokusohen në ndërkombëtarizimin e identitetit tonë.
Ministri Bajrami shprehu gatishmërinë e plotë për të mbështetur punën kërkimore shkencore të Institutit Albanologjik dhe instituteve të tjera, të cilat merren me kërkime shkencore.
“Qeveria e Kosovës është e vendosur që të rrisë fondet për kërkime shkencore, sidomos në sektorët strategjik, siç janë studimet e albanologjisë dhe historisë, të cilat tregojnë etnogjenezën tonë”, theksoi ministri Bajrami, ndërsa theksoi se duhet punuar në ndërkombëtarizimin dhe intensifikimin e shkencës së albanologjisë.
Java e Albanologjisë këtë vit është ndarë në pesë sesione shkencore sipas kërkimeve albanologjike, në të cilën do të prezantojnë kërkimet e tyre 102 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Hungaria, Zvicra, SHBA-ja,, Anglia dhe Jordania.
Last modified: 29 Gusht, 2022