Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja , mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të mësimdhënësve për programin ECDL. (programi për aftësim të mësimdhënësve në shfrytëzimin e teknologjisë informative)
Më të mirëve përveç certifikatave ju ndanë edhe mirënjohje.
Projekti ECDL është iniciuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) me qëllim të ngritjes së aftësive në Teknologjinë Informative të mësimdhënësve dhe personelit të shkollës. Ky program ka filluar në dhjetor të vitit 2009, duke përfshirë mësimdhënësit e arsimit parauniversitar nga të gjitha rajonet e Kosovës. Programi njihet me emrin ECDL (European Computer Driving Licence), dhe është i bazuar në standardin e Komisionit Evropian dhe CEPIS (Council of European Professional Informatic Societies). Pas përfundimit të suksesshëm të provimit, kandidatët pajisen me certifikata të njohura ndërkombëtarisht.
Zbatimi i këtij projekti realizohet përmes Universitetit Amerikan të Kosovës (AUK), ndërsa mësimdhënësve u ofrohet trajnimi prej 7 moduleve të ECDL. Për tu certifikuar, kandidati duhet t’ju nënshtrohet secilit nga 7 modulet.
Ministri Buja në fjalën e rastit ndër tjera tha se “jam i gëzuar me suksesin tuaj , më vjen mirë për të arriturat tuaja në këtë program , është mirë që jeni përgatitë për teknologjinë informative të shekullit 21, shekullit tonë. Jam i bindur se pas dy apo tre vjetësh ne do te kemi mundësi dhe kapacitete intelektuale për ta digjitalizuar tërë shkollën në Kosovë dhe kjo është një nga mrekullitë në sistemin e arsimit tonë,- theksoi ministri Buja .
Më tej, ministri Buja u shpreh se është i mrekulluar me suksesin , përqindjen e arritshmërisë së mësimdhënësve në këtë program dhe shtoi se “ nëse kemi proklamuar se do të fokusohemi në cilësinë në arsim, atëherë cilësia e mësimdhënies, por edhe e mësimnxënies nuk mund të mendohet pa njohuritë elementare të teknologjisë informative. Nëse ne kemi proklamuar cilësinë në arsim, atëherë them se kjo cilësi nuk mundë të arrihet pa njohuritë e këtij programi” . Në fund, ministri Buja tha se, të gjithë ne duke pranuar detyrat si mësimdhënës , do të jemi po ashtu bashkë për të arritur sukseset që synojmë , gjakojmë dhe dëshirojmë .
Të pranishmit i përshëndeti edhe Visar Jasiqi, drejtor i Universitetit Amerikan në Kosovë –AUK, dhe Luljeta Demjaha , menaxhere e projektit!
Ndryshe përqindja e mësimdhënësve aktiv të certifikuar me ECDL, Start është mesatarisht 70%. Që nga fillimi i projektit e deri në fillim të muajit qershor janë certifikuar me Start 6,102 ndërsa me Core 2,787 mësimdhënës, prej të cilëve sot marrin certifikata 558 kandidat.
Last modified: 29 Gusht, 2022