MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në Konferencën “Java e Gruas 2017”

21 Mars, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në Konferencën “Java e Gruas 2017”, ku foli për rolin e gruas në sektorin e edukimit dhe arsimimit, me theks të veçantë arsimin profesional, ku përfshirja në këtë sektor do të mundësonte që shoqëria jonë t’i përshtatet trendeve globale dhe mundësive për punësimin e të rinjëve në aktivitete të ndryshme profesionale.

Ministri Bajrami theksoi se, gruaja duhet të jetë lidere në reformat e sistemit arsimor. “Edukimi dhe arsimimi është fusha ku gruaja duhet të tregojë fuqinë e vet dhe është një fushë ku gruaja, jo që do të duhet të ndihet e barabartë me burrin, por duhet të jetë prijëse e proceseve, sepse edukimi është proces i cili përkon me natyrën e gruas, e cila ka tipare të humanizmit dhe qasje me dashuri ndaj fëmijëve”, është shprehur Ministri.

Ministri Bajrami ka folur edhe për rëndësinë e ndërtimit të një sistemi të fortë të edukimit, i cili do të qonte në përparimin e  përgjithshëm të shoqërisë, ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe formimin e liderëve të së ardhmes.

Ministri Bajrami, po ashtu, ka theksuar edhe përfshirjen e madhe të femrave në Fakultetin e Edukimit, duke bërë që femra të jetë e përfshirë plotësisht në edukimin e fëmijëve tanë. 

Last modified: 26 Gusht, 2022