MASHT

Rihapet Qendra e Mjekësisë Familjare në Qendrën e Studentëve të UP- së

22 Mars, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë përuruese të rifunksionalizmit të Qendrës së Mjekësisë Familjare të Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ministri Bajrami me këtë rast ka theksuar se, falë bashkëpunimit të mirë të Ministrisë së Arsimit me Komunën e Prishtinës, sot Qendra e Studentëve po kompleton shërbimet për studentët, ku përfitues të shërbimeve të kësaj Qendre do të jenë rreth 4 mijë studentë. 

“Është jashtëzakonisht e dobishme për studentët sepse ata do të marrim shërbimet primare mjekësore në këtë Qendër. Ky është një kujdes që po tregojmë ndaj studentëve, në mënyrë që Kampusi i Qendrës së Studentëve të ofrojë të gjitha shërbimet për studentët. Me hapjen e kësaj qendre praktikisht ne po ofrojmë të gjitha shërbimet që duhen për një jetë të rehatshme studentore”, është shprehur Ministri.

Kryetari i Komunës  së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti theksoi se, me gjithë faktin që Komuna e Prishtinës nuk është e obliguar që të ofrojë shërbime shëndetësore për banorët të cilët nuk janë banorë të kësaj komune, kërkesa e madhe e studentëve të cilët gjatë periudhës së studimeve jetojnë në Prishtinë, ka bërë që të funksionalizohet kjo Qendër moderne e Mjekësisë Familjare.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, z. Fatmir Sfishta tha se realizmi i këtij projekti është shumë i rëndësishëm për nevojat shëndetësore të studentëve.

Rifunksionalizmi i QMF-së në Qendrën e Studentëve është mbështetur nga MAShT dhe Komuna e Prishtinës. 

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.