MASHT

Shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë shënoi përvjetorin e saj të parë

16 Shkurt, 2011

“Republika e Kosovës do të jetojë përherë edhe kur trupi ynë do të jetë pluhur dhe hi, Republika e Kosovës do ta ketë edhe përvjetorin e 30 edhe të 300-të”, tha ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj në ceremoninë festive të përvjetorit të shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë.

Me një ceremoni festive, shkolla fillore “Pavarësia” në “Lagjen e Spitalit ”  në Prishtinë, shënoi përvjetorin e saj të parë. Nxënës, arsimtarë dhe prindër, pjesëmarrës në këtë solemnitet patën rastin të ndjekin një program të pasur kulturoartistik të përgatitur nga nxënës të kësaj shkolle, e që njëkohësisht i kushtohej edhe trevjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Për t’a bërë më madhështor këtë ditë feste, kishin ardhur një grup arsimtarësh e nxënësish të shkollës fillore               “Shkolla e Kuqe”  nga Tirana. Atyre, në cilësinë e prindit u printe Bardhyl Llagami, baba i Skerdilaid Llagamit, dëshmor i kombit, pjesëmarrës lufte në Kosovë , Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni.

Në fjalën e rastit, ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ndër tjera tha: Së pari, mësimdhënësit e Kosovës, nxënësit dhe studentët, profesorët e Kosovës janë ata të cilët e kanë krijuar idenë e Republikës së Kosovës dhe nuk ka në asnjë vend të botës, mësimdhënës nxënës dhe studentë të cilët mund të krenohen me pronësinë e idesë së shtetit, sikurse janë kjo shtresë e Republikës së Kosovës.

Së dyti, misioni i shkollave duhet të jetë që ta rrisin besimin dhe ta krijojnë besimin e nxënësve në shtetin e Kosovës. Shkollat janë ato që duhet ta krijojnë një sistem të besimit që Republika e Kosovës do të jetojë përherë edhe kur trupi ynë do të jetë pluhur dhe hi, Republika e Kosovës do ta ketë edhe përvjetorin e 30 edhe të 300-të. 

Së treti, janë shkollat tona dhe universitetet tona, janë Rilindësit tanë të cilët neve çdoherë na kanë trajtuar, na kanë prezentuar si popull evropian, por misioni i shkollave tona, duhet të jetë misioni për një Kosovë evropiane. Ne duhet të përgatisim të rinj të cilët në të ardhmen do të jenë pjesë e Evropës. Ne duhet të përgatisim të rinj të cilët, si qytetarë të Republikës së Kosovës, do të jenë jo vetëm qytetarë sovran por edhe sovran me dijen, shkathtësitë dhe përgatitjen profesionale dhe qëllimi ynë është që të konkurrojmë në çdo cep të botës me dijen tonë.

Ministri Hoxhaj duke uruar edhe njëherë ditën e pavarësisë së Kosovës, theksoi se “fuqia e një vendi të vogël varet nga cilësia e njerëzve të tij, prandaj edhe përpjekja jonë është që ta ngrisim cilësinë në arsim dhe fuqia jonë mos të matet me madhësinë e vendit, numrin e banorëve, por të matet me trurin tonë, me dijen tonë dhe kapacitetin tonë intelektual”.

Të pranishmit në emër të shkollës “Pavarësia” i përshëndeti Sylejman Buqaj drejtor, i cili foli edhe për historikun e kësaj vatre diturie që siç tha ai “për një kohë të shkurtër ka arritur rezultate të lakmueshme në cilësi”.
Në këtë institucion arsimor të kryeqendrës sonë vijojnë mësimin rreth 1 mijë nxënës për arsimimin dhe edukimin e të cilëve kujdesen 58 mësimdhënës.

Last modified: 26 Gusht, 2022