MASHT

Ministri Bajrami vizitoi shkollat në Bllacë dhe Samadrexhë të Suharekës

28 Mars, 2017

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vizituar sot shkollat fillore dhe të mesme të ulëta “Ramë Bllaca “ në fshatin Bllacë dhe “ Dituria “ fshatin Samadrexhë të komunës së Suharekës. Qëllimi i kësaj vizite ishte që të shohë nga afër ecurinë e procesit mësimor, sukseset dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen këto institucione arsimore.

Me këtë rast, ministri Bajrami ka biseduar me mësimdhënësit e këtyre shkollave, si dhe ka vizituar laboratorët dhe disa dhoma mësimi. Ministri, theksoi rolin e mësimdhënësve në ngritjen e cilësisë në arsim dhe tha se MAShT është e angazhuar që të ofrojë kushte të mira për mësimdhënie cilësore, ndërsa shtoi se në të ardhmen mësimdhënësit duhet të japin provimin shtetëror për mësimdhënës.

Ministri Bajrami, një pjesë të fjalës ia kushtoi teksteve shkollore, një pjesë e të cilave do të përkthehen nga gjuhët e huaja dhe do të plasohen edhe në internet, si dhe gradimit të mësimdhënësve  të dalluar,  për të cilët tha se në të ardhmen do të jenë të motivuar edhe me paga stimuluese.

“Jemi të angazhuar që të kemi mësimdhënie moderne, të standardizuar në tërë shkollat e Kosovës, duke e zëvendësuar mësimin e stërngarkuar teorik me atë dualist (teori-praktikë), për ta zbatuar me sukses Kurrikulën e re, e cila gjithsesi do të ndikojë në rritjen e cilësisë“, tha ministri Bajrami.



Ministri gjithashtu inkurajoi mësimdhënësit që të jenë shumë aktiv edhe në vetëvlerësim të performancës dhe llogaridhënie,  si dhe të vazhdojnë me trajnimet për zbatimin e Kurrikulës së re.

Në fund, ministri Bajrami ka premtuar mbështetjen e vazhdueshme të MAShT-it në të gjitha aspektet, ndërsa premtoi edhe renovimin e kulmit të djegur ditë më parë të shkollës në Bllacë, si dhe ndërtimin e Sallës Sportit për nxënësit e kësaj shkolle.

Last modified: 26 Gusht, 2022