Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami kanë vënë gurthemelin e shkollës së mesme të ulët “Qamil Iljazi” në fshatin Kaçanik i Vjetër.
Ministri Bajrami pasi uroi nxënësit dhe mësimdhënësit, theksoi se vendimi për ndërtimin e shkollës është marrë para gjashtë muajve, kur edhe kishin realizuar një vizitë në objektin e vjetër të kësaj shkolle.
Ministri Bajrami tha se, ndjehet i kënaqur me rastin e vënies së këtij gurëthemeli, shkollë kjo e cila do të ofrojë kushte për mësimdhënie moderne.
“Përmirësimi i kushteve infrastruktorore është vetëm gjysma e punës për ngritjen e cilësisë, gjysma tjetër e punës na mbetet neve mësimdhënësve për të plotësuar këtë obligim kombëtar, të cilin Qeveria e Kosovës e ka vënë prioritet”, është shprehur Ministri.
Ndërsa, kryeparlamentari i Kosovës, z. Kadri Veseli tha se, me ndërtimin e kësaj shkolle hapim perspektiva të reja për arsimimin dhe edukimin e nxënësve. Z. Veseli po ashtu porositi nxënësit që të jenë të zellshëm, të mësojnë dhe të aftësohen për jetë, njëherësh kur objeti shkollor të jetë funksional, ta ruajnë atë.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i komunës së Kaçanikut, z. Besim Ilazi, i cili ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për investimet që po bëjnë në këtë komunë.
Ndryshe, në këtë shkollë vijojnë mësimin mbi 470 nxënës, me të cilët punojnë rreth 30 mësimdhënës.
Last modified: 26 Gusht, 2022