Pas përgjigjes pozitive të Komitetit drejtues të Rrjetit të Shkollave Evropiane për anëtarësimin e MAShT, fillimish si institucion observator, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi ka nënshkruar Marrëveshjen për këtë qëllim.
Qëllimi i Marrëveshjes është të rrisë bashkëpunimin dhe rrjetëzimin midis shkollave në Evropë duke përdorur teknologji të reja të informacionit dhe komunikimit dhe për të nxitur zhvillimin e dimensionit evropian në arsim.
Poashtu, kjo Marrëveshje ka për qëllim të kontribuojë në zhvillimin e të mësuarit teknologjik në shkolla duke shpërndarë shembuj të politikave dhe praktikave të mira dhe duke hetuar modele të reja për shkollim dhe mësim, të ofrojë shërbime, përmbajtje dhe mjete të bazuara në teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit për anëtarët dhe rrjetet partnere dhe për të lehtësuar zhvillimin e një qasjeje të përbashkët ndaj standardeve dhe ndërveprimit.
Gjatë takimit në mes të përfaqësuesve te MAShT të kryesuar nga Valmir Gashi – zëdhënës, si dhe përfaqësuesve të European Schoolnet të kryesuar nga Marc Durando – drejtor ekzekutiv, është formalizuar bashkëpunimi dy palësh për t’i hapur rrugë institucioneve arsimore të Kosovës për zhvillim profesional, trajnime e shumë përfitime të tjera.
Përfaqësuesit e ketij rrjeti do të kenë së shpejti një takim një takim pune me zyrtarët e MAShT me ç’rast do të jepen udhëzimet për qasje në rrjetin European Schoolnet.
Marrëveshja e rrjetit European Schoolnet me vendet anëtare është nënshkruar duke marrë parasysh rezolutën e Këshillit të 6 majit 1996 (OJ Nr. C 195, 6.7.1996, f.8) lidhur me softuerin multimedial arsimor në fushat e arsimit dhe trajnimit, si dhe Komunikimin (COM (96) 471 finale) nga Komisioni i Bashkimit Europian në Këshill, Parlamentin Europian, Komitetin Ekonomik dhe Social dhe Komitetin e Rajoneve, lidhur me Planin e Veprimit për një Iniciativë Europiane të Arsimit “Mësimi në Shoqërinë e Informacionit”.
Last modified: 25 Gusht, 2022