Zv/ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti priti Elvana Shala ambasadore e vullnetit të mirë për Kosovën në International Human Rights Commission (HCR ), me ç`rast pranoi raportin e dalë nga fushata vetëdijësuese kundër diskriminimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, me moton “Një fije dritë”.
Në këtë takim zv/ ministri Sahiti dhe Ambasadorja Shala biseduan për mundësitë dhe modelet e përfshirjes së rekomandimeve nga fushata vetëdijësuese “Një fije dritë”, në tekstet shkollore të historisë, për periudhën e luftës në Kosovë, tragjikën përkatësisht dhunën seksuale të femrave gjatë kësaj periudhe.
Zv/ministri Sahiti, shprehu keqardhjen për atë që pësuan femrat kosovare gjatë luftës, njëherësh tha se, shoqëria dhe shteti ynë duhet ta kenë në konsideratë statusin e veçantë të kësaj kategorie në shoqërinë tonë .
Sipas Ambasadores Shala, në raportin e përmendur dhe rekomandimet e nxjerra, shumica e të mbijetuarave të dhunës seksuale kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit, që të kenë kujdes të shtuar ndaj kësaj kategorie, në segmente të ndryshme të jetës.
Ndërkaq nga Ministria e Arsimit kërkohet që të ketë hapësirë përmbajtësore në tekstet shkollore për heroizmin e femrës dhe tragjikën e saj gjatë luftës në Kosovë. Në raport poashtu është cekur se në asnjë tekst shkollor të historisë së lavdishme të Kosovës, nuk është përmendur krimi i dhunës barabare seksuale ndaj femrave.
Last modified: 25 Gusht, 2022