Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të punëtorisë së organizuar nga MAShT me temën: “Profilizimi i mësimdhënësve nga klasa I-V”, e cila është mbajtur në shkollën “Shaban Spahija” në Pejë, si dhe ka përshëndetur pjesëmarrësit një takim tjetër në ambientet e kësaj shkolle për testin e maturës 2018.
Në punëtorinë rreth profilizimit të mësimdhënësve, ku kanë marrë pjesë drejtorët e drejtorive komunale të arsimit të rajonit të Pejës dhe drejtorë të shkollave, ministri Bytyqi theksoi se jemi të vetëdijshëm të gjithë se nuk jemi në nivelin e dëshiruar të arsimin në Kosovë, ndërsa tha se të gjithë duhet të angazhohemi që të kemi rezultate sa më të mira në arsim.
Ministri theksoi se për këtë qëllim është menduar që të fillohet me një reformë nga niveli I-V, konkretisht profilizimin e mësimdhënësve për këtë nivel, ndërsa theksoi nevojën e bashkëpunimit të të gjithë akterëve në mënyrë që të kuptohet drejt kjo iniciativë dhe të arrihen rezultatet e dëshiruara.
Gjithashtu, gjatë ditës së sotme, ministri Bytyqi, ka përshëndetur edhe pjesëmarrësit në takimin me drejtorët e shkollave të komunës së Pejës, ku është biseduar rreth organizimit të Maturës 2018.
Me këtë rast, Ministri foli për rëndësinë e këtij procesi dhe theksoi se përgatitjet duhet të jenë në nivelin e duhur për të pasur rezultate sa më reale në Testin e Maturës, por edhe i ftoi të gjithë që të angazhohen për arritje më të mëdha në testin PISA.
Në këto takime, ministri Bytyqi ishte i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Last modified: 25 Gusht, 2022