Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim, ku u diskutua për Ligjin për Inspektoratin Arsimit, me ç`rast me shumicë votash u vendos që ky Ligj të dërgohet në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Ministri Bytyqi, ndër të tjera tha se ky ligj do të ketë rol kyç në sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar dhe theksoi se Ligji për Inspektoratin e Arsimit do të jetë edhe bazë për të menaxhuar dhe përcjellë edhe administrimin e legjislativit për të gjitha nivelet e arsimit.
Duke theksuar rëndësinë e këtij Ligji, ministri Bytyqi tha se do të përfshijë të gjitha institucionet arsimore, në të gjitha nivelet, të licencuara dhe njohura nga MAShT.
Ndërsa në kuadër të sfidave që priten, ministri Bytyqi theksoi nevojën e rritjes së numrit të inspektorëve të arsimit (40 inspektor) dhe si rrjedhojë rritjen e buxhetit.
Ministri Bytyqi gjithashtu tha se, mbetet që me akte nënligjore të rregullohen procedurat dhe vlerësimet e performancës së mësimdhënësve në terren, ndërsa shtoi se çdo katër vite do të bëhet edhe avancimi i mësimdhënësve, gjë që do të ndikojë në rritjen e përgjegjësisë dhe angazhimit profesional dhe për rrjedhojë pritet të kemi ngritje cilësisë në arsim.
Pjesëmarrësit në debat vlerësuan rëndësinë dhe domosdoshmërinë e përshpejtimit të miratimit të këtij Ligji në Kuvendin e Kosovës, duke pasur parasysh se do të ndikojë në rritjen e cilësisë në arsim.
Last modified: 24 Gusht, 2022