Ministri Bytyqi priti një delegacion të shtetit të IOWA-s

08 Maj 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti në takim një delegacion të shtetit të Iowa-s, të kryesuar nga presidenti i Kolegjit (Des Moines Area Community College), Rob Denson me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e edukimit, me theks të veçantë mobilitetin e studentëve dhe profesorëve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me universitetet e Iowa-s.

Ministri Bytyqi ka theksuar se Ministria e Arsimit është e gatshme që të gjejë format më të përshtatshme të bashkëpunimit me institucionet arsimore të Iowa-s.

Ministri Bytyqi fillimisht foli për përvojën e mirë dhe mbështetjen që kishe marrë gjatë vizitës disaditore në Iowa, ndërsa shtoi se ardhja e presidentit Denson në Kosovë  mundëson fillimin e bashkëpunimit konkret, funksionalizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e mobiliteteve të studentëve dhe profesorëve dhe trajnimin e trajnerëve në fushën e bujqësisë për shkollat profesionale në Kosovë.

“Diskutimet e hapura të cilat i kemi pasur me institucionet arsimore në Iowa na kanë dhënë mundësi që të themi, po e kemi gjetur vendin i cili më së shumti mund të na ndihmojë në sistemin arsimor”, ka thënë ministri Bytyqi.

Presidenti i Kolegjit (Des Moines Area Community College), Rob Denson, nga ana e tij e shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizmin e projekteve të përbashkëta me universitetet e Kosovës dhe bartjen e përvojave më të mira nga universitetet e Iowa-s.