Ministri Bytyqi priti një delegacion të Komisionit Evropian

29 Nentor 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur në takim një delegacion të Komisionit Evropian, të kryesuar nga Mary Teresa Moran, zëvendësudhëheqëse e Njësitit për Kosovë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësi Evropiane dhe Zgjerim , me të cilën ka biseduar lidhur me agjendën e Bashkimit Evropian për arsimin në Kosovë dhe çështjet me interes të përbashkët në këtë fushë.

Ministri Bytyqi ka vlerësuar lartë ndihmën që Komisioni Evropian ka dhënë në sektorin e arsimit, ndërkaq ka bërë të ditur se është duke u bërë vlerësimi i gjendjes së përgjithshme në arsim, në mënyrë që të ndërmerren hapa të sigurt për ndryshime.
 
“Momentalisht prioritet i yni është përmirësimi i cilësisë, duke filluar nga arsimi parauniversitar, si pikë kyçe në këtë drejtim. Me seriozitet të lartë jemi duke vlerësuar gjendjen në arsim në Kosovë”, ka thënë ministri Bytyqi.
 
Ministri Bytyqi po ashtu ka folur në detaje për hapat që MAShT do të ndërmarrë për përmirësimin e kualitetit në arsim, duke përmendur profilizimin e mësuesve nga klasa parë deri në klasën e pestë, orientimin e nxënësve të shkollave të mesme të ulëta në bazë të rezultateve që arrijnë gjatë shkollimit, harmonizimin e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës, ndërkaq ka ritheksuar se pikë kyçe e qeverisjes është aplikimi i mësimit tërëditor.
 
Ndërsa, përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Mary Teresa Moran, ka falënderuar ministrin Bytyqi për pritjen ku u bisedua për arritjet e deritanishme dhe orientimin e politikave arsimore në të ardhmen, duke ditur se, arsimi është në qendër të angazhimeve të Bashkimit Evropian.