Ministri Bytyqi priti kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj

03 Janar 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me ç’ rast biseduan për zhvillimet e aktuale në fushën e arsimit, sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky sektor, me theks të veçantë përgatitjet për testin PISA 2018.

Kryeministri Haradinaj dhe ministri Bytyqi u shprehën se, gjendja në arsim nuk është në nivel të kënaqshëm, njëherësh theksuan nevojën e angazhimit të të gjithë akterëve në arritjen e rezultateve më të mira në testin PISA 2018, i cili do të mbahet në fund të muajit prill. 

Kryeministri Haradinaj ka thënë se, duhet të merret me seriozitet të plotë rëndësia e Testit PISA dhe për këtë një pjesë të madhe të përgjegjësisë do ta kenë edhe kryetarët e komunave dhe drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit. Kryeministri kërkoi angazhim të përgjithshëm në përgatitjet për Testin PISA 2018, me qëllim që të mos përsëriten rezultatet e testit paraprak.

Ndërsa,  ministri Bytyqi fillimisht shpehu kënaqësinë e tij për vizitën e kryeministrit Haradinaj në ditën e parë të punës në vitin 2018 dhe tha se kjo tregon që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës është duke i kushtuar rëndësi të madhe arsimit.

Ministri Bytyqi tha se, jemi të përkushtuar që gjendja në arsim të përmirësohet në mënyrë graduale dhe të sigurtë, e cila edhe do të ofronte mundësi për një arsim cilësor për të rinjtë tanë.

Ministri Bytyqi po ashtu e ka siguruar kryeministrin Haradinaj se do të merren të gjitha përgjegjësitë, që vërtetë kësaj radhe rezultatet në Testin PISA të jenë më të mira se sa ato të vitit 2015. 

“Në kuadër të shumë temave të cilat i diskutuam, morëm përkrahjen e jashtëzakonshme të kryeministrit për testin PISA. Jemi duke punuar që të jemi sa më të përgatitur në këtë test që do të ndodh në fund të muajit prill. Ne e njoftuam kryeministrin për detajet e Komisionit PISA dhe angazhimet e përgjithshme për punën dinamike që do të bëhen deri në këtë datë”, u shpreh ministri Bytyqi.

Gjatë vizitës të cilën kryeministri Haradinaj i bëri Ministrisë së Arsimit, ministri Bytyqi shpalosi disa nga prioritet dhe objektivat të cilat ka për synim ti realizojë gjatë mandatit të tij, për çka mori mbështetjen nga kryeministri, ndërkaq u diskutua edhe për çështjen e sigurisë në shkollat e Kosovës.