Ministri Bytyqi priti drejtoreshën rajonale të UNICEF-it për Evropë

15 Maj 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi priti në takim znj. Afshan Khan, drejtore rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe përfaqësues tjerë në Kosovë , me të cilët bisedoi për mundësitë e përforcimit të partneritetit ekzistues ndërmjet MAShT , UNICEF dhe institucioneve tjera të vendit për edukimin në fëmijëri të hershme , përmirësimin e cilësisë në arsim dhe çështje tjera me interes .

Me këtë rast ministri Bytyqi ka falënderuar  përfaqësuesit e UNICEF për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme  në edukimin  dhe realizimin  e të drejtave të fëmijëve në Kosovë , njëherësh  theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen .

Ministri Bytyci theksoi se është shumë me rëndësi që programet dhe synimet tona  si institucion janë në përputhje  edhe me programet e UNICEF , prandaj edhe bashkëpunimi  është më i lehtë dhe më i suksesshëm.

Duke e ditur rëndësinë  e edukimit  në fëmijëri të hershme , ne jemi të angazhuar  që të rrisim numrin e përfshirjes së fëmijëve  nga mosha 3-5 vjeçare , porse aktualisht nuk kemi kapacitetet të mjaftueshme që të arrijmë standardet evropiane në këtë drejtim.

Sa i përket përmirësimit të cilësisë në arsim , ministri Bytyqi tha se tashmë ka filluar të implementohet Kurrikula e re porse ende kemi nevojë për  trajnimin e mësimdhënësve, në  aspektin e të kuptuarit thelbësorë të përmbajtjes kurrikulare  dhe aplikimit të metodologjive bashkëkohore  në mësimdhënie.

Ndërsa, sa i përket gjithëpërfshirjes në arsim , ministri Bytyqi theksoi se gjithëpërfshirja është evidente në të gjitha dokumentet strategjike të zhvillimit të arsimit në Kosovë  dhe se  janë bërë hapa të mirë në këtë drejtim , por natyrisht ka ende punë për tu bërë  sidomos  në vetëdijesimin e nxënësve dhe prindërve të komunitetit RAE  për rëndësinë e shkollimit të  fëmijëve.

Sa i përket përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në klasat e integruara , ministri Bytyqi tha se është lajm i mirë që do të kemi kod të ri buxhetor  që lehtëson punën e asistenteve  që do të përkujdesen për edukimin e këtyre nxënësve në shkolla.