MASHT

K o m u n i k a t ë

22 Dhjetor, 2011

Ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, i shoqëruar nga zëvendësministri Nehat Mustafa morën pjesë në takimin e Këshillit të Përgjithshëm të SBAShK-ut, ku u diskutua për pagat shtesë të arsimtarëve për muajt janar dhe shkurt të këtij viti.

Ministri Buja ka përgëzuar sindikalistët dhe mësimdhënësit për angazhimin e përkushtuar që të kemi ngritje të cilësisë në arsim. Duke folur për pagat e mësimdhënësve, ministri Buja ka shprehur keqardhje për mospërmbushjen e plotë të vendimit për dy muajt e parë të vitit.

“Unë do të doja shumë që t’iu uroja festat e fundvitit me përgjigjen pozitive të premtimit të dhënë”, shtoi ministri, por “kur kam dhënë premtimin para jush nuk e kemi pasur një restrikcion dhe prerje të buxhetit nga FMN-ja”.

Ministri Buja ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet dhe ka deklaruar se SBAShK-u bashkë me Ministrinë, që ai drejton, kanë bërë shumë angazhime për të gjetur një zgjidhje lidhur me këtë çështje. Ministri Buja ka thënë se MAShT-i, por edhe Qeveria e Kosovës e kanë thënë se janë në respektim të Vendimit të 6 janarit dhe se do të bëjnë gjithë të mundurën për ta vënë në jetë atë në momentin e parë kur të krijohen kushtet për këtë.

Kryetari i SBASHK-ut, Ali Shabanaj, sqaroi para Kuvendit të SBAShK-ut se ka pas takime të shpeshta me ministrin Buja për këtë çështje edhe atëherë kur kishte filluar të realizohet premtimi i Qeverisë për rritjen e pagave për 50 për qind. “Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme me qëllim që të realizohen ato objektiva të Qeverisë sipas vendimit të datës 6 janar 2011. Kemi kërkuar që ministri të jetë me ne për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje”, ka thënë Shabanaj.

Kryetari Shabanaj dhe shumica e pjesëmarrësve në këtë takim me gjithë keqardhjen për faktin se nuk mund të marrin këtë ndryshim pagash për arsimtarët brenda këtij viti shprehën besimin se kjo do të ndodhë në rastin e parë ashtu siç premtoi ministri Buja.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.