Agjencia e Kosovës për Akreditim

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), është themeluar në mars të vitit 2008 nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në pajtim me Ligjin mbi Arsimin e Lartë (2003/14) në Kosove, si Agjenci që garanton cilësinë e punës arsimore dhe kërkimore shkencore ne Institucionet e Arsimit të lartë në Kosovë.

Agjencia e Kosovës për Akreditim është agjenci publike për vlerësimin e cilësisë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Përmes procesit të akreditimit përkrahë zhvillimin e cilësisë në këto institucione.

Agjencia e Kosovës për Akreditim ka baza ligjore për akreditimin e të gjitha institucioneve të arsimit të lartë që ofrojnë ose duan të ofrojnë programe në arsimin e lartë dhe të japin grada akademike.

Përgjegjësitë e AKA-së dhe kriteret e akreditimit janë dhënë në Ligjin mbi Arsimin e Lartë në Kosovë (Nr. 04/L-037, datë 31.08.2011), Udhëzimin Administrativ mbi Licencimin e Bartësve Privatë të Arsimit të Lartë në Kosovë (Nr. 25/2012, datë 22.10.2012), Udhëzimin Administrativ mbi Themelimin e Agjencisë të Akreditimit të Kosovës (Nr. 11/2004, datë 16/02/2004), Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës (Nr. 2/ 2013, datë 16/01/2013) dhe Udhëzimin Administrativ mbi Kriteret dhe Procedurat për Akreditimin e Shkollave të Larta Profesionale dhe Shkollave të Larta Teknike në Republikën e Kosovës (Nr. 12/ 2009, datë 05/06/2009).

 

Përgjegjësitë primare të AKA janë:

Akreditimi i institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë,
Akreditimi i institucioneve të reja të arsimit të lartë dhe programeve të tyre,
Akreditimi i programeve të reja në institucionet e akredituara të arsimit të lartë,
Kontrolli i vazhdueshëm i cilësisë në institucionet e akredituara dhe programeve të tyre.
 

Fokusi i akreditimit

AKA akrediton institucionet dhe programet akademike përmes procedurave formale dhe transparente që ofrojnë standarde ndërkombëtarisht të krahasueshme, me te cilat vleresohet nese institucioni ose programet e studimit i plotësojnë kërkesat minimale për cilësi.

Përmes akreditimit sigurohen të gjitha palët e interesit, kosovare dhe te huaja, se cilësia në mësimdhënie dhe mësimnxënie përmbushë standardet ndërkombëtare. Akreditimi gjithashtu e rritë transparencën në tregun kompleks të ofertuesve kombëtarë dhe ndërkombëtare të arsimit të lartë, si atyre publik apo privat.

 

Kohëzgjatja e akreditimit

Institucionet e arsimit të lartë akreditohen për një periudhë të caktuar kohore të cilën e cakton Këshilli Shtetërorë i Cilësisë (KSHC). Kërkesa për riakreditim duhet të dorëzohet në AKA së paku një vit para skadimit të akreditimit paraprak. Nëse aplikacioni për vazhdimin e akreditimit nuk paraqitet me kohë, vjen gjer te ndërprerja e akreditimit.

 

Publikimet

Me qëllim të informimit të publikut dhe plotësimit të obligimit për të qenë transparent, AKA publikon në ëeb faqen e saj listën e të gjitha institucioneve të arsimit të lartë të akredituara në nivel institucional dhe të programeve, si dhe specifikon gradat akademike që ato mund ti japin. Institucionet që kanë aplikuar dhe vendimet tjera për akreditim do te listohen gjithashtu.

AKA publikon raportet e vlerësimit të ekspertëve, vendimet e KSHC-se, aktet ligjore në bazë të cilave organizohet procesi i akreditimit, udhëzuesit e saj për akreditim (kriteret, listat kontrolluese, etj) si dhe do te mundësoj qasje ne dokumentet tjera sipas kërkesës.

Linku Agjencia e Kosovës për Akreditim