MASHT

ZV/MINISTRI SAHITI MORI PJESË NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË MËSIMIT PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE PËR BAVARI

27 Janar, 2019

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe për Bavari (KMPGJShB), ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Konsullatave të Kosovës dhe Shqipërisë të akredituara në Mynchhen (Dashnor Ibra – Shqipëri, Zenel Gashi e Labinot Ngucati – Kosovë), mësimdhënësit e angazhuar, përfaqësuesit e fondacioneve e shoqateve që veprojnë në Bavari, të cilat e mbështesin financiarisht organizimin e mësimit plotësues.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e organizimit më të mirë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, mundësitë e rritjes së përfshirjes së fëmijëve shqiptarë në mësim, si dhe nevojën e mbështetjes më të madhe finaciare të këtij procesi.

Zv/ministri Sahiti i përgëzoi mësimdhënësit dhe të gjithë të angazhuarit në organizimin e mësimit plotësues, njëherësh tha se MAShT është e angazhuar që të mbështesë përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve në mësimin plotësues me ç`rast, ndër tjera tha se, mësimi i gjuhës shqipe dhe historisë është me rëndësi jetike për ruajtjen e traditës dhe minimizimin e rrezikun nga asimilimi.

Zv/ministri Sahiti, gjithashtu theksoi se, MAShT-i në bashkërendim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, do të vazhdojë të sigurojë tekstet dhe mjetet e nevojshme mësimore, ndërsa theksoi edhe rëndësinë e hartimit të kurrikulës së përbashkët për diasporën.

Kryetari KMPGJShB-së, Mustafë Krasniqi theksoi nevojën e bashkërendimit të aktiviteteve me përfaqësues të fondacioneve dhe të shoqatave, me qëllim të sigurimit të pagave për mësimdhënësit e angazhuar në procesin mësimor, ndërsa shprehu besimin se në të ardhmen kjo do bëhet nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Zv/ministri Sahiti, gjatë ditës së sotme ka vizituar edhe nxënësit në shkollën e qytetit Holzkirhen të Bavarisë, të cilëve u ka uruar suksese në mësime.

Last modified: 9 Qershor, 2022