19 Nentor 2018
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, ka marrë pjesë në konferencën “Mësimi gjatë gjithë jetës, një domosdoshmëri për krijimin e një shoqërie të dijes”, si dhe në hapjen e panairit për këtë qëllim.
Me këtë rast, zv/ministri Sahiti theksoi se është sfidë të përcillen kërkesat e globalizimit dhe trendet shumë të shpejta të zhvillimit të teknikës, teknologjisë dhe shoqërisë në përgjithësi.
“Një ndër fushat më me rëndësi për përgatitjen e njerëzve për t’i përballuar këto zhvillime dinamike në botë, është padyshimn edukimi dhe arsimimi i brezave të rinj dhe në këtë kontekst me theks të posaçëm mund të përmendet tendenca e orientimit, apo përgatitjes së individëve për nevojën e arsimimit/trajnimit, apo për të mësuarit gjatë gjithë jetës”, tha zv/ministri Sahiti.
Duke folur për programin e Qeverisë, respektivisht të MAShT në këtë drejtim, zv/ministri Sahiti përmendi reformat në sistemin arsimor, përmirësimin e infrastrukturës ligjore, përshtatjen e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës, bashkëpunimin ndërkombëtar në arsim, hulumtimin, zhvillimin e inovacionit.
Ndër të tjera, zv/ministri Sahiti përmendi Planin Strategjik për Arsim në Kosovë 2017-2021, për të cilin tha se në shumë aspekte ndërlidhet drejtpërdrejtë me agjendën e Arsimit, Aftësimit dhe Punësimit në Kosovë, ku ndër të tjera përcakton masa që synojnë zhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore, veçanërisht përmes ndërhyrjeve në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional.
Last modified: 10 Nëntor, 2022