MASHT

Zv/ministri Mustafa në hapjen e punëtorisë “Asistencë teknike për Horizon 2020“

23 Tetor, 2014

Zëvendësministri i Arsimit, z. Nehat Mustafa, mori pjesë në hapjen e punimeve të punëtorisë “Asistenca teknike për “Horizon 2020”- program i Komisionit Evropian. Kjo punëtori ka për qëllim të ofrojë informacione për rëndësinë që ka ky program për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe të ofrojë udhëzime për aplikimin me projekte nga ana e subjekteve të interesuara.

Zv/ministri Mustafa, me rastin e hapjes së punimeve tha se, Programi i BE-së për Kërkim dhe Inovacion “Horizon 2020” është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për faktin se mundëson përfitimin e projekteve ndërkombëtare, njëkohësisht mundëson përshpejtimin për integrim në Zonën Evropiane të Kërkimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se të qenit pjesë e këtyre projekteve është një sfidë e madhe, për faktin se institucionet tona nuk janë akoma mjaft konkurruese në këtë aspekt, por jemi të përkushtuar që të ngrisim kapacitetet dhe të jemi të barabartë me të tjerët në këtë program të rëndësishëm që ofron Komisioni Evropian”, tha z. Mustafa.

Në vazhdim, z. Mustafa tha se Ministria e Arsimit, do të gjejë modalitetet më të mira për të motivuar komunitetin e biznesit, institucionet kërkimore shkencore dhe të tjerët, që të jenë sa më aktivë në këtë drejtim, duke ofruar kështu edhe ekspertizën nga fusha të ndryshme tematike.

Ndërsa, z. Peter Frederick, ekspert ndërkombëtar i angazhuar nga Komisioni Evropian, tha se programi “Horizon 2020”, ka për qëllim të ofrojë shanse për më shumë projekte të reja inovative, të cilat krijojnë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës. “Ju duhet të angazhoheni e të dëshmoni me projektet tuaja se jeni konkurrentë të denjë dhe të përfitoni nga ky program. Këtë të drejtë tashmë e keni njësoj sikur të gjitha shtetet tjera të Ballkanit dhe të Evropës”, theksoi ai.

Në këtë punëtori po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, përfaqësues të institucioneve kërkimore shkencore, përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërmarrjeve dhe të shoqërisë civile.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.