MASHT

Zv/ministri Mustafa mori pjesë në konferencën “Mësimi i Gjuhës Rome”

18 Mars, 2014

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa mori pjesë sot në konferencën “Mësimi i Gjuhës Rome”, në të cilën u diskutua mbi aspektet praktike të organizimit të mësimit të gjuhës rome, përkatësisht kritereve për përzgjedhjen e mësuesve dhe identifikimin e tyre.

Zëvendësministri Mustafa, me këtë rast theksoi se, Ministria e Arsimit në vazhdimësi është angazhuar në mbrojtjen e gjuhës rome dhe futjen e saj si lëndë mësimore nëpër institucionet tona shkollore.

Teksti në gjuhën rome është në fazën finale të botimit, theksoi zv/ministri Mustafa, ndërkaq shtoi se ky tekst do të jetë një ndihmesë jashtëzakonisht e madhe për fëmijët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas, por edhe mësimdhënësit të cilët punojnë në këtë drejtim.

Zëvendësministri Mustafa po ashtu rikujtoi se, nga viti 2011 Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit kanë filluar pilotimin e gjuhës rome në katër shkolla të Prizrenit, ku janë përfshirë rreth 140 nxënës dhe se ky pilotim i ka dhënë rezultatet e saj, duke dëshmuar që tani më ka ardhur momenti që kjo përvojë të shpërndahet edhe në komunat tjera ku jetojne këto komunitete.

Ndërkaq, Andrew Forde nga Këshilli i Evropës tha se, kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në Këshillin e Evropës, sa i përket mbrojtjes së gjuhës së komuniteteve të ndryshme në Evropë.

Forde theksoi se Këshilli i Evropës e sheh si nevojë urgjente ndërtimin e një themeli të shëndoshë sa i përket edukimit të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas dhe se Kosova është jashtëzakonisht e përkushtuar në këtë drejtim.

Konferenca “Mësimi i Gjuhës Rome” është organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërkaq është përkrahur nga Programi i Përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbështetja e qasjes në arsimim dhe mirëkuptimi ndërkulturor”.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.