Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se afati për regjistrimin e Institucioneve të Edukimit në Fëmijërinë e Hershme (IEFH) në Programin e Kuponëve është zgjatur për 15 ditë shtesë, deri më 23 shtator 2025.
Programi i Kuponëve ka për synim të përmirësojë qasjen e fëmijëve të moshës 3–5 vjeç nga familjet e regjistruara në Skemën e Asistencës Sociale (SAS) në institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme.
Programi, i cili do të zbatohet deri në qershor 2028, parasheh rimbursimin e institucioneve pjesëmarrëse për ofrimin e shërbimeve arsimore dhe transportit.
Të drejtë aplikimi kanë:
• Institucionet parashkollore private;
• Institucionet parashkollore në partneritet publiko-privat;
• Forma të tjera alternative të organizimit, përfshirë institucionet me bazë në komunitet.
Kriteret e përfshirjes:
• Institucioni duhet të jetë i licencuar nga MAShTI;
• Të ketë së paku një vend të lirë për regjistrimin e fëmijëve përfitues.
Shpenzimet që mbulohen nga programi:
• Pagesa mujore për edukimin në fëmijërinë e hershme deri në 150 euro për fëmijë në muaj, varësisht nga komuna dhe çmimi i tregut;
• Pagesa e transportit të fëmijës (vetëm për institucionet që ofrojnë këtë shërbim), sipas vendimit të Komisionit për Vlerësim të Aplikimeve dhe distancës rrugore.
Aplikimi bëhet vetëm online, përmes platformës e-Kosova, në shërbimin: Arsimi – Regjistrimi i Institucioneve Parashkollore Private në Programin e Kuponëve.
Të dhënat e nevojshme për aplikim përfshijnë:
• Adresën dhe komunën e institucionit;
• Numrin e vendeve të lira për fëmijët, përfshirë ata me aftësi të kufizuara;
• Informata mbi ofrimin e transportit;
• Numrin e llogarisë bankare.
Divizioni për Arsimin Privat Parauniversitar në MAShTI do të vlerësojë aplikimet në bazë të kritereve të përcaktuara. Edhe IEFH-të që tashmë janë pjesë e pilotimit në komunat Prishtinë, Gjilan dhe Lipjan duhet të aplikojnë.
Për më shumë informata, mund të kontaktoni në:
• Tel: 038 200 65048
• E-mail: programiikuponave@rks-gov.net
Last modified: 9 Shtator, 2025