MASHT

U vu gurthemeli për ndërtimin e shkollës së djegur në Halabak të Podujevës

3 Nëntor, 2015

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurëthemelit të shkollës fillore në fshatin Halabak të Podujevës, e cila është djegur ditë më parë. 

Para shumë banorëve të fshatit, ministri Bajrami theksoi se është një rast i rrallë kur Qeveria e Kosovës, Ministria e Arsimit vepron me shpejtësi të madhe në ndërtimin e 
një shkolle. 

“Jemi zotuar që brenda 45 ditësh ta ndërtojmë këtë shkollë, një shkollë moderne e cila plotëson kërkesat e fshatit Halabak, në mënyrë që këta fëmijë të kenë ambiente 
të mira për mësim. Krahas objektit shkollor dëshirojmë të kemi një shkollë cilësore dhe i lus të gjithë mësimdhënësit që pas përfundimit të objektit, të gjithë të punojmë 
që nxënësve t’iu ofrojmë mësim cilësor, një mësimdhënie të shekullit 21”.

Ministri Bajrami theksoi se kemi siguruar buxhetin e plotë edhe për ndërtim të një shkolle moderne, por edhe për inventar. “Si ministër do të kujdesem që kjo shkollë të 
pajiset edhe me teknologji, në mënyrë që vërtetë të krijojmë një shkollë të mirë e cila nuk do të jetë vetëm një vatër e mësimit, por edhe e argëtimit të fëmijëve, një shkollë 
humane, e cila do të plotësojë të gjitha kërkesat e komunitetit”, tha ministri Bajrami, ndërsa kërkoi nga operatori ekonomik që të kryej punët në afatin e paparë dhe 
fëmijët në gjysëmvjetorin e dytë të mos udhëtojnë, por të kenë shkollën e tyre.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, z. Nexhmi Rudari po ashtu, theksoi faktin se do të ndërtohet një objekt bashkëkohor, i cili do të plotësojë kërkesat për hapësirë 
fizike, në mënyrë që të kemi cilësi në mësimdhënie dhe në të nxënë.

Objekti i ri do të ketë sipërfaqe bruto 485 m², ndërsa vlera e investimit për ndërtimin e objektit është 194,500.00 euro.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.