Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu kanë nënshkruar vendimin për miratimin e tekstit “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”, niveli III, të përgatitur nga shtëpia botuese “Albas”, në partneritet me shtëpinë botuese “Dukagjini”.

Ky vendim ka ardhur pas propozimit të Komisionit të Përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën, i cili ka udhëhequr procedurat e konkursit të teksteve mësimore për diasporën, niveli II dhe niveli III.
Ministrja, Arbërie Nagavci, pas nënshkrimit të vendimin për miratimin e tekstit ka thënë se, bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me ministren Manastirliu ka qenë i jashtëzakonshëm dhe tashmë ka rezultate në këtë drejtim.
Ajo rikujtoi se, pas finalizimit të Abetares së përbashkët, tekst me të cilin mësojnë vogëlushët tanë në të gjitha trojet shqiptare, është finalizuar edhe teksti i tretë të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare, me të cilin do të mësojnë fëmijët tanë në mërgatë, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Last modified: 18 Mars, 2025