MASHT

U MBAJT TRYEZA E DISKUTIMIT “SFIDAT E STUDENTËVE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË KOSOVË”

28 Maj, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në tryezën e diskutimit me temë “Sfidat e studentëve të universiteteve publike në Kosovë”, të organizuar nga Kongresi i aktivizimit studentor.

Tryeza kishte për qëllim identifikimin e mangësive në Universitetet publike të Kosovës dhe shndërrimin e tyre në synime drejt zgjedhjes për secilën mangësi e që kryefjala e këtij synimi të jenë vetë studentët.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, në arsim proceset udhëhiqen nga dy faktorë bazë: politikat dhe praktikat, ku është shënuar përparim në shumë fronte të sektorit të arsimit. Tutje tha se, arsimi i lartë që nga fillimi është në krye të prioriteteve, të vetëdijshëm që rinia aty e merr shtysën madhore për t’iu bashkangjitur tregut të punës.

Në këtë drejtim, Ministrja Nagavci theksoi se, është duke u punuar paralelisht në infrastrukturën ligjore dhe atë programore, duke marrë parasysh aspektet sociale dhe transformimet që po ndodhin me shpejtësi. Fillimisht është miratuar Strategjia e Arsimit 2022-2026, ku arsimi i lartë është një nga 5 prioritetet themelore.  Po ashtu përmendi edhe veprimet tjera që janë ndërmarrë në arsimin e lartë.

Ndërsa në kuadër të praktikave Ministrja Nagavci tha se, janë krijuar lehtësime për studentët e Universiteteve publike, duke i liruar nga pagesa semestrale, janë ofruar mbështetje me bursa për 3 vite radhazi, është intensifikuar mobiliteti studentor dhe akademik përmes bashkëpunimit me Erasmus+ dhe projekte tjera të ngjashme.

Në këtë tryezë diskutimi e pranishme ishte edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila shprehu mbështetjen dhe përkrahjen në adresimin e sfidave dhe fenomeneve të ndryshme që ndodhin në Universitete.

Last modified: 28 Maj, 2024