MASHT

U mbajt takimi i përbashkët me Këshillin Shkencor të MAShTI dhe këshillat e fushave shkencore

14 Maj, 2025

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka zhvilluar një takim të përbashkët me Këshillin Shkencor dhe këshillat e fushave shkencore, me qëllim të informimit dhe koordinimit të mëtejmë brenda funksionit të këtyre këshillave.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njoftuan për rolin dhe përgjegjësitë e tyre, duke shkëmbyer përvoja të rëndësishme nga fushat përkatëse. Njëkohësisht, u prezantua Programi Kombëtar i Shkencës, i cili kërkon zbatim me përkushtim dhe bashkëpunim të ngushtë nga të gjitha strukturat shkencore. Po ashtu, u diskutua procesi aktual rreth Projektligjit për Veprimtari Kërkimore-Shkencore dhe Inovacion, për të cilin kërkohet kontributi i vazhdueshëm i këtyre këshillave për zhvillimin e mëtejshëm të shkencës dhe inovacionit në institucionet arsimore.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shprehu përkushtimin e MASHTI për të ofruar mbështetje të plotë për këto procese, duke theksuar rëndësinë e mobilizimit të të gjitha instancave relevante për avancimin e rezultateve në fushën e shkencës dhe inovacionit.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha instancat shkencore për të fuqizuar ekosistemin kërkimor dhe inovativ në institucionet arsimore në mënyrë që të rangohen më lartë në krahasim me vendet tjera.

Last modified: 14 Maj, 2025