MASHT

U mbajt konferenca rajonale “Investimi në Kujdesin dhe Zhvillimin gjatë Fëmijërisë së Hershme: Faktet, Mundësitë dhe Sfidat”

23 Nëntor, 2017

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Geci mori pjesë në konferencën rajonale “Investimi në Kujdesin dhe Zhvillimin gjatë Fëmijërisë së Hershme: Faktet, Mundësitë dhe Sfidat”, e organizuar nga Save the Children në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kjo konferencë dyditore mbledh një numër të madh të përfaqësuesve nga MAShT, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe shëndetësore lokale, si dhe pjesëmarrës të Save the Children nga vende të ndryshme.

Zëvendësministri Geci me këtë rast theksoi se, MAShT është e përkushtuar në promovimin e politikave të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme për të gjithë fëmijët, si një faktor tepër i rëndësishëm i zhvillimit të shoqërisë.

“MAShT është e përkushtuar për të zbatuar praktikat më të mira në investimin për kujdesin dhe zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme, duke siguruar ambient dhe kushte të nevojshme për të gjithë fëmijët, në mënyrë që të kemi zhvillim të suksesshëm me mundësi të barabarta për zhvillim të potencialit të fëmijëve dhe për të stimuluar kreativitetin e tyre”, theksoi zv/ministri Geci.

Zv/ministri Geci ndër të tjera tha se, fëmijëria e hershme është një nga periudhat më të rëndësishme të zhvillimit të njeriut, e cila ndikon në faza të mëvonshme të jetës.

Zv/ministri Geci po ashtu vlerësoi punën e organizatës Save the Children, duke theksuar eksperiencat e vlefshme ndërkombëtare që ata sjellin në vendin tonë, në shërbim të zhvillimit sa më të mirë për fëmijët në fëmijërinë e hershme.

Kohëve të fundit, fëmijëria e hershme është një fushë në të cilën anë e mbanë botës po i kushtohet rëndësi e jashtëzakonshme. Konferenca është një mundësi për politikëbërësit, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe palët e tjera të interesit që të informohen për rëndësinë e investimit në kujdesin dhe zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme dhe për praktikat më të mira në ofrimin e shërbimeve të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme.

Last modified: 25 Gusht, 2022