Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Mendjet për Paqe: Avancimi i Shërbimeve të Shëndetit Mendor në Arsimin Bazë për të Nxitur Paqen.”
Ministrja ka përgëzuar implementimin e projektit, një nismë e rëndësishme që synon krijimin e shkollave më të ndjeshme, mbështetëse dhe shëruese për nxënësit në Kosovë.
Ky projekt ka fuqizuar shkollat fillore dhe të mesme në Prishtinë dhe Gjilan, përmes ndërtimit të kapaciteteve profesionale dhe ndërhyrjeve të drejtpërdrejta që adresojnë nevojat emocionale dhe traumat e fëmijëve. Deri më tani, janë trajnuar dhe certifikuar 25 profesionistë në trajtimin e traumës përmes metodës EMDR (Desensibilizimi dhe Ri-procesimi përmes Lëvizjes së Syve), janë ofruar 120 orë mbikëqyrje profesionale klinike, ndërsa janë organizuar 33 aktivitete psikoedukative në 20 shkolla, me pjesëmarrjen e 579 nxënësve (324 vajza dhe 255 djem), nga Komuna e Gjilanit dhe Prishtinës.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, ky projekt përfaqëson një model konkret për të ndërtuar një sistem arsimor që vendos mirëqenien emocionale të nxënësve në qendër të vëmendjes.
Ajo ka përgëzuar të gjithë profesionistët dhe partnerët për përkushtimin e tyre në krijimin e shkollave të sigurta dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa tha se do të mbështesë çdo iniciativë që përforcon shëndetin mendor të fëmijëve dhe kontribuon në ndërtimin e shkollave që jo vetëm mësojnë, por edhe shërojnë.
Projekti “Mendjet për Paqe” është mbështetur nga Klubi Rotarian Prishtina Dardania, në partneritet me Klubin Rotarian Keystone dhe ka përfshirë gjithashtu edukimin e prindërve dhe mësimdhënësve për ndikimin e traumës dhe ndërtimin e një ambienti të sigurt psikologjik në familje dhe shkollë. Në këtë kuadër, janë mbajtur 19 sesione me pjesëmarrjen e 156 prindërve dhe 142 mësimdhënësve.


Last modified: 11 Qershor, 2025