Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka organizuar konferencën për programin Horizon 2020, e cila është mbajtur sot dhe ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së hulumtuesve shkencorë në fondet e këtij programi, i cili është edhe një prej programeve më të mëdha të Bashkimit Evropian për mbështetjen e kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik.
Në emër të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, këshilltari i tij Zenun Halili inkurajoi të gjitha palët në Kosovë që të marrin pjesë në këtë program, që ofron mundësi të madhe për Kosovën që të implementojë planet e vendosura në Programin Kosovar të Hulumtimit.
“MAShT është duke punuar në ngritjen e kapaciteteve vendore për të aplikuar me sa më shumë fonde. Kapacitetet vendore aktualisht janë të ulta në fushën e hulumtimeve dhe shkrimit të projekt-propozimeve në gjuhën angleze”, tha z. Halili, ndërsa theksoi se MAShT ka emëruar dhjetë ekspertë relevantë sipas fushave tematike të Horizonit 2020, të cilët në vazhdimësi do të punojnë me komunitetin kërkimor, komunitetin e bizensit, dhe akterët tjerë relevant, për të informuar dhe përkrahur pjesëmarrjen në fondet e këtij programi.
“MASHT po ashtu është duke ndërmarrw disa hapa në drejtim të definimit të skemave të stimulimit për pjesëmarrje në projektet ndërkombëtare, përfshirë edhe Horizonin 2020”, tha ai.
Horizon 2020 do të ofrojë mbështetje për projektet deri në vitin 2020 me një buxhet prej mbi 70 miliardë eurosh. Republika e Kosovës aktualisht e ka statusin e vendit ndërkombëtarë për bashkëpunim në Horizon 2020. Me qëllim të marrjes së statusit të Asocuar në Horizon 2020, MAShT është duke punuar në ngritjen e kapaciteteve vendore për të aplikuar me sa më shumë fonde.
Last modified: 30 Gusht, 2022