MASHT

U diskutua rishikimi i statuteve të universiteteve publike bazuar në përvojat dhe standardet ndërkombëtare

23 Maj, 2025

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) dhe përfaqësues të Programit “Arsimi i Lartë dhe Kërkimi i Qëndrueshëm në Kosovë (SHER)” u takuan sot për të diskutuar rishikimin e statuteve të institucioneve publike të arsimit të lartë, duke u bazuar në përvojat dhe standardet ndërkombëtare.

Bekim Samadraxha, udhëheqës i Divizionit për Cilësi, Monitorim dhe Zhvillim në Departamentin e Arsimit të Lartë, falënderoi Qeverinë Austriake për përkrahjen e vazhdueshme, duke përmendur kontributin e saj që nga periudha para luftës, gjatë luftës dhe pas çlirimit të vendit.

“Në veçanti, falënderojmë për përkrahjen e dhënë në sektorin e arsimit, sidomos në arsimin e lartë, përmes ndihmës në njohjen e diplomave, ndërtimit të infrastrukturës akademike, zhvillimit të ligjit për arsimin e lartë, mbështetjes për Agjencinë e Akreditimit dhe bashkëpunimeve me ekspertë ndërkombëtarë”, u shpreh Samadraxha.

Ai po ashtu përmendi projektet e fundit të cilat kanë ndihmuar në hartimin e ligjit për arsimin e lartë dhe formulën e re të financimit të universiteteve publike, ku një rol të rëndësishëm e ka luajtur projekti HERAS dhe aktualisht projekti SHER, që mbështet universitetet në draftimin dhe harmonizimin e statuteve të tyre.

Arrita Gola, këshilltare e Ministres Nagavci, theksoi rëndësinë e harmonizimit të statuteve të universiteteve publike me standardet evropiane.

“Harmonizimi i statuteve është një element kyç për funksionimin efektiv të universiteteve publike, si në aspektin akademik ashtu edhe në atë administrativ. Universiteti i Prishtinës tashmë ka një statut të ri që është miratuar vitin e kaluar, pas një procesi të gjatë konsultimi. Është e rëndësishme që të gjithë akterët ta shikojnë këtë proces përtej dimensionit politik dhe të fokusohen në përfitimin afatgjatë të institucioneve të arsimit të lartë”, tha ajo.

Aqim Emurli, udhëheqës i Programit SHER tha se, ky takim është vazhdimësi e diskutimeve të nisura në dhjetor me Ministren Nagavci, ku ishte theksuar rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe ishte hapur rruga për thellimin e mëtejshëm të dialogut dhe reformave në arsimin e lartë.

Last modified: 23 Maj, 2025