Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së parë, në Profilin Floktari në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e arsimit dual si një nga prioritetet kyçe të Qeverisë së Kosovës dhe si një ndër projektet më domethënëse për të ardhmen e të rinjve dhe të ekonomisë së vendit. Ai vlerësoi rolin e Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila ishte ndër të parat që zbatoi modelin dual dhe sot ofron arsim profesional në tri profile me rreth 220 nxënës, duke e cilësuar këtë si një sukses institucional dhe një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi arsimor që krijon mundësi reale për të rinjtë.
Ministrja Nagavci rikujtoi se arsimi dual në Kosovë nisi zyrtarisht në shtator të vitit 2022 si pjesë e iniciativave strategjike të Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e të rinjve dhe për përshtatjen e arsimit me kërkesat e tregut të punës. Ajo potencoi se modeli është tashmë i pranishëm në 25 shkolla në 15 komuna të vendit, dhe përfshin mbi 1,600 nxënës – dëshmi kjo e suksesit të bashkëpunimit institucional dhe interesimit të shtuar për arsimin profesional.
Ministrja gjithashtu theksoi se nga viti 2021 e deri më sot, Ministria ka ndërmarrë reforma gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet e arsimit, me fokus të veçantë në arsimin dhe aftësimin profesional. Në këtë drejtim, janë hartuar kurrikula të reja, janë shtuar profilet profesionale dhe është fuqizuar bashkëpunimi publiko-privat.
Ndër të tjera, Nagavci falënderoi Qeverinë e Republikës së Gjermanisë dhe Ambasadën Gjermane në Kosovë, si dhe Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes agjencisë LuxDev, për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e modelit të arsimit dual. Ajo theksoi rëndësinë e lidhjes së teorisë me praktikën si element kyç në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës dhe jetën profesionale.
Në këtë ceremoni, fjalë rasti mbajtën edhe drejtoresha e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional, Fikrije Zymberi, udhëheqësi i projektit “Fit for Jobs” nga GIZ, Mario Ekart, si dhe drejtori i Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla.



Last modified: 26 Maj, 2025