Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Evropiane të Matematikës për Vajza – EGMO 2025, organizuar nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe MAShTI-t.
Ministrja Arbërie Nagavci, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe si ministre e Arsimit, ka shprehur krenarinë e saj për organizimin e Olimpiadës Evropiane të Matematikës për Vajza (EGMO 2025) në Kosovë. Ajo u ka uruar mirëseardhje të pranishmëve dhe ka theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje madhështore, që për herë të parë mbahet në Kosovë.
Ministrja ka nënvizuar se ky potencial mund të shndërrohet në kapacitet dhe produktivitet, duke kontribuar në përparimin e shoqërisë, dhe shtoi se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit janë të vetëdijshme për këtë dhe kanë ofruar mbështetje në shumë forma për të nxitur përfshirjen dhe fuqizimin e vajzave në fushën e matematikës dhe shkencave.
Ndër të tjera, Nagavci theksoi se, që nga marrja e mandatit, zhvillimi i kapitalit njerëzor ka qenë një prioritet kryesor, me fokus të veçantë tek vajzat, ku ky parim është përkthyer në politika dhe veprime konkrete, duke përfshirë ndarjen e mbi 6600 bursave për vajza në fushat STEM gjatë tre viteve akademike, si dhe Konferencën STEMinists, një traditë që filloi para 3 vitesh, e cila mbledh qindra vajza e gra nga fushat STEM.
Ndërsa, kryetarja e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Valdete Rexhëbeqaj Hamiti ka uruar mirëseardhjen në Olimpiadën Evropiane të Matematikës për Vajza EGMO 2025, duke cilësuar këtë ngjarje si një moment të veçantë për Kosovën. Sipas saj, EGMO nuk është thjeshtë një garë, por një festë e dijes dhe mirëqenies që bashkon kultura të ndryshme.








Last modified: 13 Prill, 2025