MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI MENAXHERIN E PROGRAMIT “YES” TË GIZ-IT

7 Nëntor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim menaxherin e programit “YES”(Rinia, Punësimi dhe Shkathtësitë) të GIZ-it, Klaus Bader-Labarre, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e deritashëm në fushën e arsimit, por edhe për planet për bashkëpunim në të ardhmen.

Ministri Bytyqi falënderoi  GIZ-in, si një nga partnerët më të rëndësishëm në arsim, veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional, ndërsa theksoi nevojën dhe gatishmërinë për bashkëpunim edhe më të afërt në mënyrë që proceset të lëvizin përpara.

Ministri e informoi z. Klaus Bader-Labarre për punën që është duke u bërë sa i përket standardeve të profesionit dhe kurrikulave të reja në arsimin profesional. Ai theksoi se tashmë janë identifikuar mangësitë dhe grupi punues profesional ka filluar punën për hartimin e kurrikulave të reja mbi bazën e standardeve ekzistuese , ndërsa janë edhe 15 standarde të profesionit të reja të cilat pritet të validohen  dhe të fillohet me hartimin e kurrikulave bërthamë për këto standarde.  

Ministri theksoi se arsimi dhe aftësimi profesional është prioritet i MAShT dhe tha se tashmë me organogramin e ri, Divizioni që merret me këtë segment të arsimit është ngritur në departament, gjë që do të lehtësojë punën në vendimmarrje dhe shtyrjen përpara të proceseve me një shpejtësi më të madhe.

Ndërsa, menaxheri i programit “YES” të GIZ-it, Klaus Bader-Labarre tha se duhet të mendohet për mënyrat e bashkëpunimit dhe shprehu gatishmërinë e GIZ për të qenë afër MAShT në synimet për ngritjen e cilësisë në arsim.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.