Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, drejtoresha e komunale e Arsimit, Arbëreshë Kryeziu dhe drejtori i shkollës “Ismail Qemaili”, Xhevdet Zogaj kanë vënë gurthemelin e çerdhes në fshatin Bellanicë të Malishevës.
Kryeministri Albin Kurti me këtë rast ka theksuar se, në mandatin e qeverisjes së tij janë ndarë mbi 3 milion euro për arsimin në komunën e Malishevës, përfshirë edhe investimin për ndërtimin e kësaj çerdheje të re, e cila ka vlerën e kontratës 689.349.60 euro, me një sipërfaqe prej 886.36 metra katrorë dhe e përshtatshme për sistemimin e 80 fëmijëve.
Kryeministri Kurti, tutje theksoi se, investimi në arsim është investimi kryesor në ardhmëri, duke shtuar se investimet e Qeverisë në komunën e Malishevës janë përqendruar në disa ndërtime, të cilat janë të domosdoshme, si për kuadrin mësimdhënës ashtu edhe për fëmijët, nxënësit dhe prindërit.
Ndërsa, ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se, çerdhja e re në Bellanicë do të ofrojë kushte moderne për vogëlushët, në mënyrë që ata të luajnë dhe mësojnë në ambiente të pastra e të shëndetshme, sepse duke krijuar kushte optimale për edukim të hershëm, u japim mundësinë sot vogëlushëve tanë që të bëhen shtyllat e forta që avancojnë shoqërinë nesër.
Ministrja po ashtu bëri të ditur se, çerdhja e re që po nisë ndërtimin sot në Bellanicë të Malishevës, nuk është thjesht investim infrastrukturor, por është investim në ardhmërinë tonë.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi se, tregues i rëndësishëm i investimeve infrastrukturore në edukimin e hershëm është edhe rritja sistematike e fëmijëve që ndjekin çerdhet publike në katër vitet e fundit, ku sipas statistikave në vitin 2020 kemi pasur 4939 fëmijë të regjistruar në çerdhe, ndërsa në vitin 2024 kemi 7429 fëmijë të regjistruar.
Last modified: 24 Dhjetor, 2024