Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë sot në përurimin e Qendrës për Arsimimin dhe Edukimin e të Rriturve (YALEC) në Vushtrri – qendra e tretë e këtij lloji në Kosovë, pas atyre në Prizren dhe Pejë.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe drejtori i DVV International në Kosovë, Ramadan Alija.
Me këtë rast, ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e mësimit gjatë gjithë jetës, duke potencuar se arsimi nuk përfundon me ciklin formal shkollor, por vazhdon përmes trajnimeve dhe përvetësimit të shkathtësive të reja gjatë gjithë jetës. Ajo vuri në pah se MAShTI, në bashkëpunim me partnerët, ka punuar vazhdimisht për krijimin e kushteve për aftësim profesional dhe rikualifikim, përmes politikave që mbështesin qasjen gjithëpërfshirëse ndaj arsimit për të rriturit.
Ajo shtoi se vitin e kaluar u themelua Qendra Holistike për të Rritur në Prizren, e më pas ajo në Pejë, ndërsa përurimi i Qendrës në Vushtrri tha se dëshmon përkushtimin institucional për zgjerimin e kësaj forme të arsimit.
Ndër të tjera, Ministrja përmendi licencimin e programit ndërkombëtar Curriculum GlobALE, tashmë pjesë e Fakultetit të Edukimit në UP, si program joformal për trajnimin e mësimdhënësve në fushën e andragogjisë.
Ministrja Nagavci shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të DVV International, e cila tash e 20 vjet është aktive në fushën e arsimit për të rritur në Kosovë, duke kontribuar ndjeshëm në përmbushjen e objektivave të Strategjisë së Arsimit 2022–2026, veçanërisht në ngritjen e cilësisë së arsimit për të rritur.
Përurimi i Qendrës në Vushtrri përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm të arsimit të të rriturve, në shërbim të gjithë qytetarëve, pavarësisht moshës apo sfondit arsimor.


Last modified: 10 Qershor, 2025