MASHT

Përurohet çerdhja e re në Skënderaj

10 Qershor, 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura kanë përuruar çerdhen e re në Skenderaj.

Kryeministri Kurti me këtë rast tha se, kjo çerdhe e re nuk është vetëm një hap përpara në zhvillimin e shoqërisë, por njëkohësisht tregues i fuqishëm që fëmija është kryefjala e politikave publike dhe veprimeve konkrete tona të përbashkëta.

Ai shtoi se vlera e përgjithshme e investimeve të Qeverisë në Komunën e Skenderajt gjatë këtij mandati ka qenë 3.2 milionë euro, nga të cilat 2.1 milionë euro është shuma e punimeve të finalizuara deri tani, ndërkaq rreth 66 mijë euro vlera e pajisjes me inventar.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen sa i përket zgjerimit dhe modernizimit të infrastrukturës fizike, e cila do të jetë jetë në shërbim të fëmijëve tanë.

Ministrja Arbërie Nagavci, ndër të tjera ka bërë të ditur se, kjo është një nga gjashtë çerdhet që po ndërtohet me fondet IPA-s të Bashkimit Evropian dhe sipërfaqja e saj me 1,600 metra katrorë dhe hapësira përcjellëse mbi 800 metra katrorë, do të ofrojë terren për aktivitete të shumta edukativo-arsimore.

Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, theksoi se çerdhja është më shumë sesa një ndërtesë: është simbol i progresit, partneritetit dhe shpresës për të ardhmen. “Bashkimi Evropian ka angazhim të fuqishëm dhe jetëgjatë në ndërtimin e infrastrukturave jetike publike në Kosovë.” shtoi ai.

Last modified: 10 Qershor, 2025