Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka organizuar konferencë njëditore me temë: “Drejt arsimit gjithëpërfshirës në Kosovë – 2010”.
Qëllimi dhe objektivat e konferencës ishin shkëmbimi dhe vizioni i MASHT-it në arsimin gjithëpërfshirës për të ardhmen dhe prezantimi i rezultateve të punës që janë bërë në bashkëpunim me projektin “Mbështetja Institucionale e Universitetit Jyväskylä për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë 2009-2010″i cili u përmbyll me sukses.
Në fjalën e hapjes, Skender Xhakaliu, sekretar i përgjithshëm në MASHT ndër tjera tha, se MASHT në kuadër të prioriteteve të saja ka ngritjen dhe gjithëpërfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsim dhe kjo nënkupton rritjen e përfshirjes së tyre në të gjitha nivelet e arsimit. Ofrimin e një arsimi cilësor i cili ju përgjigjet këtyre nevojave individuale të këtyre fëmijëve.
Shkolla është e njëjtë për të gjithë fëmijët, të gjithë kanë mundësi të barabartë pavarësisht nga aftësitë që kanë secili.
Në vazhdim, z. Xhakaliu tha, gjithëpërfshirjen si koncept e përshkon projektligji për arsimin parauniversitar, por edhe korniza e kurrikulumit si dokument i rëndësishëm po ashtu është në linjë me arsimin për të gjithë dhe qëllimet zhvillimore të Mileniumit, duke synuar të ofrojmë qasje të barabartë në arsim cilësor të gjithëve pa marrë parasysh aftësitë e kufizuara, etnicitetin, moshën, statusin ekonomik etj.
Në këtë frymë është hartuar edhe plani zhvillimor strategjik 2009- 2016. Ministria e Arsimit është shumë e përkushtuar që të zgjerojë edhe më tutje hapësirat shkollore, ndërsa falënderoi Qeverinë Finlandeze e cila me projektet e saja që nga viti 2000 po ndihmon në vazhdimësi zhvillimin e arsimit special dhe inkluziv në Kosovë,- ka thënë në fund z.Xhakaliu.
Ndërkaq Znj. Tarja Fernandez, nga Ambasada e Finlandës, mes tjerash tha, sistemi arsimor finlandez është ndër më të mirët në botë dhe se Kosova po përfillë standardet dhe sugjerimet e Bashkimit Evropian për gjithëpërfshirje dhe arsim cilësor. Jeni në rrugë të mirë të ndërtimit të një sistemi modern arsimor të standardeve bashkëkohore, por se në këtë drejtim natyrisht do të ketë edhe shumë sfida të cilat besoj se do të kalohen me sukses.
Z. Markku Sassi, Universiteti Jyväskylä Finlandë foli për angazhimet e Qeverisë dhe institucioneve finlandeze në zhvillimin e arsimit special , përfshirë këtu edhe trajnimet shumta të mësimdhënësve për mësimdhënie fëmijëve me nevoja të veçanta përmes FSDEK-ut dhe projekteve tjera arsimore. Ai falënderoi MASHT-in për angazhimin e përhershëm në implementimin e projekteve dhe Qeverinë Finladeze, e cila siç tha ai ka dhënë kontribut të pa kontestueshëm në këtë sferë të ndjeshme të arsimit në Kosovë .
Konferenca ka vazhduar punimet me prezantimin e te arriturave dhe hapjen e diskutimeve për mundësitë dhe sfidat e arsimit gjithëpërfshirës në Kosovë në të ardhmen.
Ndryshe, gjatë viteve 2009-2010 janë bërë hapa pozitiv drejt arsimit gjithëpërfshirës të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në Kosovë. Është hartuar Plani strategjik për organizimin e arsimit Gjithëpërfshirës për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore në arsimin parauniversitar në Kosovë 2010-2015 dhe Plani Individual të Arsimit- dokument pedagogjik, bashkë me udhëzuesin për përdorimin e tij.
Në të njëjtën kohë, shkollat speciale janë transformuar në Qendra Burimore, punësimi i mësimdhënësve të arsimit gjithëpërfshirës dhe koncepti i shkollave gjithëpërfshirëse është futur në shkollat e Kosovës. Kanë filluar diskutimet për bartjen e përgjegjësive tek niveli komunal në menaxhimin e klasave të bashkangjitura dhe për ndërtimin e rrjeteve të mbështetjes për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore në nivel komunal. Po ashtu, një numër i madh i mësimdhënësve të rregullt janë trajnuar në programin e zhvillimit profesional në fushën e arsimit gjithëpërfshirës.
Last modified: 26 Gusht, 2022