Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci bashkë me zëvendësministrin, Taulant Kelmendi dhe anëtarë të tjerë të Kabinetit kanë vizituar sot Universitetin “Kadri Zeka”, në Gjilan ku janë pritur nga rektori, Artan Dermaku, prorektorë dhe profesorë të Universitetit.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka folur për zhvillimet e përgjithshme në këtë Universitet, performancën, llogaridhënien dhe cilësinë, si procese të cilat çdo herë synohet të përmirësohen.
Nagavci shprehu mbështetjen e plotë për realizimin e çfarëdo kërkese, e cila ka të bëjë me rritjen e standardeve dhe performancës së Universitetit, si në aspektin financiar, ashtu edhe të proceseve të rëndësishme, të cilat synojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të institucionit.
Ndër temat e diskutimit ishte edhe profilizimi i universiteteve, për të cilin Ministrja tha se do të shikohet në vazhdimësi nëse programet të cilat ofrohen nga universitete publike rajonale, janë në harmoni me kërkesat e tregut të punës.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Artan Dermaku falënderoi ministren Nagavci për vizitën dhe mbështetjen e ofruar, ndërkaq foli për rëndësinë e profilizmit, duke përmendur edhe modele nga shtete të ndryshme të Evropës, por të cilat tha se duhet t’iu përshtaten kushteve dhe kërkesave të tregut në Kosovë.
Last modified: 27 Mars, 2024