Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci vizitoi Qendrën Ditore për Rehabitilim dhe Edukim “Down Syndrome Kosova”, ku është pritur nga drejtoresha, Sebahate Beqiri, me ç’rast është njoftuar për aktivitetet e Qendrës, në veçanti ofrimin e shërbimeve për fëmijët dhe të rinjtë me sindromën Down.
Ministrja, Arbërie Nagavci gjatë bashkëbisedimit me drejtoreshën Beqiri, anëtarët e Qendrës dhe vullnetarët, ka theksuar se, mbështetja e Ministrisë së Arsimit nuk do të mungojë asnjëherë, veçanërisht për ata fëmijë që kanë më së shumti nevojë.

Ministrja Nagavci ka përgëzuar stafin për punën dhe aktivitetet me të cilat ndihmojnë në zhvillimin e aftësive dhe krijimin e shprehive të punës, ndërsa ka rikujtuar se nisma e përbashkët në mes të MAShTI-t dhe Qendrës “Down Syndrome Kosova” e titulluar “Një kartolinë për ty”, ka rezultuar tejet e suksesshme, pasi vetëm gjatë vitit 2024 janë shitur 74 mijë kartolina.
Ndërsa, drejtoresha Sebahate Beqiri, falënderoi ministren Nagavci për përkrahjen dhe theksoi se bashkëpunimi i kësaj Qendre me institucionet dhe qendrat tjera që ofrojnë shërbime të ngjashme është i domosdoshëm, në mënyrë që së bashku të ofrojnë trajtim më të mirë dhe shërbime cilësore për fëmijët.
Last modified: 21 Mars, 2025