Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci gjatë ditës së sotme ka vendosur gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Fushë Kosovë dhe asaj në fshatin Milloshevë të Obiliqit.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, Ministria e Arsimit është e përkushtuar për krijimin e ambienteve moderne për fëmijët tanë, në mënyrë që të krijohen mundësi më të mira dhe kushte të përshtatshme për përfshirjen e tyre në edukimin e hershëm.
Nagavci ka bërë të ditur se, së shpejti do të vendoset gurthemeli edhe i një çerdhe tjetër në Fushë Kosovë dhe ndërtimi i një shkolle.
“Përveç kësaj çerdhe, gurthemelin e të cilës e vendosëm, kemi buxhetuar dhe projektuar ndërtimin edhe të një çerdhe të re në Fushë Kosovë dhe po ashtu ndërtimin e një shkolle, për të krijuar më shumë mundësi për fëmijët në Fushë Kosovë”, ka thënë ministrja Nagavci.
Pas vendosjes së gurthemelit të çerdhes në Fushë Kosovë, ministrja Nagavci ka vendosur edhe gurthemelin e çerdhes në Milloshevë të Obiliqit, ndërsa i ka ftuar komunat për bashkëpunim, në mënyrë që të mund të ndërtohen çerdhe në secilën komunë.
Ndër të tjera, Nagavci ka thënë se, çerdhet do të jenë objekte që do të plotësojnë standardet bashkëkohore për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, një prioritet tepër i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
Last modified: 25 Tetor, 2023