Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësministrin, Arsim Ademi dhe zyrtarë të MAShTI, takuan sot anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës, të kryesuar nga kryetarja, Prof.Dr. Muzafere Limani.
Në këtë takim u diskutua për synimet e KKSh-së dhe zbatimin e Planit Kombëtar të Shkencës 2023-2028, si një dokument strategjik i cili ofron vizionin për zhvillimin e sektorit të kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë.
Ministrja Nagavci ka falënderuar anëtarët e KKSh për punën dhe kontributin e tyre në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, si një sektor tepër i rëndësishëm për vendin dhe i përgëzoi për planin ambicioz, i cili është paraparë që të realizohet brenda një periudhe pesë vjeçare.
Ministrja Nagavci foli edhe për ofrimin e mbështetjes së nevojshme për KKSh, për çka tha se MAShTI është i gatshëm gjithmonë të bashkëpunojë sikurse deri sot për zhvillimin e sektorit të kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë.
Kryetarja e KKSh-së, Muzafere Limani e falënderoi ministren për prezencën e saj në takimin e Këshillit dhe gatishmërinë e saj për të diskutuar për zbatimin e Planit Kombëtar të Shkencës dhe për të ofruar mbështetjen e saj në këtë proces.
Last modified: 15 Tetor, 2024