21 Tetor 2021
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka raportuar sot para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian lidhur me veprimet e ndërmarra deri më tani dhe planifikimet në drejtim të përmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga Procesi i Integrimit Evropian, e që ndërlidhen me arsimin, shkencën e teknologjinë.
Ministrja Nagavci fillimisht i vlerësoi gjetjet në lidhje me vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe përpjekjet e kësaj Agjencie për anëtarësim në ENQA dhe EQAR, rritjen e kapaciteteve të stafit që është bërë gjatë vitit 2020, si dhe vendet e reja të punës që do të hapen në vitin 2021.
Nagavci përmendi edhe të arriturat tjera të identifikuara në raport, e që janë vendimi për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, regjistrimi i Qendrave Mësimore për komunitetet romë, ashkali, egjiptian për të cilat MASHTI ka ndarë buxhet në vlerë prej 200 mijë euro për vitin e ardhshëm, ndërkaq foli edhe për arritjet që janë bërë lidhur me Programin e BE-së, HORIZON Europe me ç’rast janë përfunduar negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes që do të realizohet në fund të vitit 2021.
Nagavci po ashtu bëri të ditur se, pas rishikimit të buxhetit janë ndarë 5 milion euro për ndërtimin e institucioneve parashkollore dhe adaptimin e objekteve ekzistuese, të cilat do të ndihmojnë rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.
Ndër të tjera, Ministrja përmendi edhe gjetjet dhe rekomandimet nga ky raport, të cilat janë nënvizuar nga BE, për të cilat theksoi se do të jenë prioritet dhe hyjnë në kuadër të planeve dhe dokumenteve strategjike e buxhetore.
Me këtë rast, ministrja Nagavci tha se në planin e ERA II (në kuadër të shtyllës së tretë), MAShTI ka prioritet përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës, me theks të veçantë përmirësimin e cilësisë së përgjithshme në sektorin e arsimit, sigurimin e qeverisjes transparente të institucioneve arsimore dhe rritjen e qasjes në arsim.
Ajo përmendi shumë punë që kanë përfunduar ose janë në proces gjatë periudhës gusht – shtator 2021e që lidhen me këto prioritete, respektivisht me zbatimin e Agjendës për Reforma Evropane.
Duke folur për Planin për Zbatimin të MSA-së për vitin 2021, ministrja tha se janë planifikuar masa legjislative dhe zbatuese, ndër të cilat edhe plotësim-ndryshimi i Projektligjit për Arsimin e Lartë, Projektligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si dhe Projektligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme 0-6 vjeç, në të cilin është duke u punuar nga grupi punues.
Ndërsa, në kuadër të rekomandimeve të BE-së për Raportin e Vendit (2020), Ministrja theksoi se MAShTI është duke punuar në vazhdimësi për të përmbushur obligimet e tyre.
Duke folur për progresin e shënuar në këtë drejtim, ministrja Nagavci përmendi disa procese të planifikuara në nivelin e edukimit parashkollor, të cilat pritet të ndikojnë në ngritjen e cilësisë, e po ashtu në rritjen përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel edukimi. Në këtë drejtim, theksoi se gjatë vitit 2021 janë përfunduar 7 institucione parashkollore, ndërsa në vitin 2022, pritet të përfundojë ndërtimi edhe i 15 institucione parashkollore.
Ministrja Nagavci ka folur edhe për riaplikimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR, me ç’rast u zotua se MASHTI do të kujdeset që të përmbushen të gjitha obligimet që dalin nga ky proces, ndërkaq bëri të ditur se, Agjencia e Kosovës për Akreditim është në proces të hartimit të standardeve dhe në momentin që pretendohet se janë përmbushur të gjitha kriteret mund të riaplikohet.
Last modified: 7 Qershor, 2022