Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ndarë certifikatat për fitueset e Olimpiadës Mbarëkombëtare të Gjuhës Shqipe, duke e cilësuar këtë moment si një hap të rëndësishëm në promovimin dhe fuqizimin e gjuhës sonë amtare.
Në fjalën e saj, ministrja Nagavci tha se synimi është që kjo garë të kthehet në një traditë të përvitshme, me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe ndër të rinjtë në mbarë hapësirën shqipfolëse.
Ajo uroi nxënëset fituese dhe gjithë pjesëmarrësit e olimpiadës, duke falënderuar mësimdhënësit, prindërit, zyrtarët e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe zyrtarët e MAShTI për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në këtë proces të rëndësishëm arsimor e kombëtar. Ministrja theksoi se kjo iniciativë përveçse kontribuon në ruajtjen e gjuhës, forcon edhe bashkëpunimin dhe miqësinë ndërmjet të rinjve nga të dyja vendet.
Ndër të tjera, Nagavci kujtoi se një vit më parë, bashkë me ministren e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, kanë nënshkruar marrëveshjen për organizimin e këtij konkursi të përbashkët, me qëllim promovimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në të gjitha nivelet e arsimit.
Në përmbyllje të aktivitetit, u ndanë certifikata për nxënëset fituese: Erina Sejdiu, Orgesa Morina, Eltina Buzaku, Jeta Rama, Nina Kaja, Elsa Krasniqi, Toska Nagavci dhe Merime Palloshi.
Last modified: 11 Maj, 2025