MASHT

Ministrja Nagavci mori pjesë në organizimin e Ditës Ndërkombëtare të Matematikës

16 Mars, 2025

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Matematikës, Fakulteti i Matematikës i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” organizoi aktivitete kulturore dhe artistike, ku nikoqire ishte Shkolla Fillore, e Mesme, e Ulët “Meto Bajraktari” në Prishtinë, aktivitet në të cilin mori pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja Nagavci vuri në pah përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë për të mbështetur talentet e reja në fushën e matematikës dhe shkencave natyrore. Ajo përmendi disa nga arritjet më të rëndësishme të këtij mandati, duke përfshirë: mbi 6800 bursa të ndara për studentë në STEM; subvencione për shoqatat dhe nxënësit që kontribuojnë në zhvillimin e kësaj fushe; shpërblime për fituesit e garave kombëtare dhe ndërkombëtare; pjesëmarrjen e garuesve nga Kosova në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Tokio, etj.

Në veçanti, Ministrja theksoi se, Kosova do të jetë mikpritëse për herë të parë e Olimpiadës Evropiane të Matematikës për Vajza (EGMO 2025), event i cili do të mbahet në prill të këtij viti, dhe do sjellë në Kosovë 350 pjesëmarrëse nga 60 vende të ndryshme, duke e vendosur vendin tonë në hartën e kompeticioneve më të rëndësishme ndërkombëtare në matematikë.

Me këtë rast, Ministrja rikonfirmoi përkushtimin e saj dhe të Ministrisë për të investuar në edukimin cilësor, duke e bërë matematikën dhe shkencat një prioritet strategjik për zhvillimin e ardhshëm të vendit.

I pranishëm ishte edhe Arbër Selmani, profesor nga Fakulteti i Matematikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili përmendi rëndësinë e shënimit të kësaj dite për të promovuar matematikën. Ai tutje theksoi se ditët si këto ndihmojnë në shtytjen e mëtutjeshme të mësimdhënësve të matematikës.

Last modified: 16 Mars, 2025