Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në festivalin KonicaFest 2025, të organizuar nga ShFMU “Faik Konica” në Prishtinë. Tema e këtij viti ishte “Të mendojmë si krijues”, duke nxitur kreativitetin dhe inovacionin tek të rinjtë.
Gjatë festivalit u zhvillua një panel diskutimi me fokus në inteligjencën artificiale dhe përdorimin e saj nga nxënësit.
Ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjive moderne në arsimin formal dhe rolin kyç që këto mjete kanë në përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e së ardhmes.
“Ministria e Arsimit mbështet fuqimisht iniciativa që inkurajojnë të rinjtë të zhvillojnë aftësi krijuese dhe teknologjike. Përdorimi i inteligjencës artificiale në arsim duhet të jetë një prioritet për të përgatitur nxënësit tanë për botën e punës dhe teknologjinë që po ndryshon me shpejtësi,” u shpreh Ministrja Nagavci.
KonicaFest 2025 shërben si një platformë e rëndësishme për promovimin e kreativitetit, teknologjisë dhe inovacionit në arsimin tonë.




Last modified: 29 Maj, 2025