Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30 vjetorit të themelimit Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Me këtë rast, ministrja Nagavci ka theksuar rolin e rëndësishëm që ka ky institucion, i cili ofron mundësi të reja për avancim akademik e shkencor në arsimin e lartë.
Si institucion i pavarur në aspektin edukativo-arsimor, theksoi ministrja, Fakulteti i Studimeve Islame përgatit kuadro akademike dhe shkencore, të cilët përbëjnë një bazë të shëndoshë për reforma të vazhdueshme në pasurimin e kurrikulave, në aspektin teknologjik, etj.
Duke folur për veprimtarinë ndër vite, ministrja theksoi se qysh prej themelimit të tij në vitin 1992 nga Bashkësia Islame e Kosovës, kjo qendër ka dhënë kontribut të rëndësishëm, jo vetëm në aspektin e arsimit publik, por edhe në aspektin kombëtar e atdhetar.
Më tej, ministrja Nagavci përmendi edhe aktivitetet shkencore që Fakulteti organizon, si sesione, konferenca shkencore, ligjërata nga profesorë evropiano-perëndimorë, të cilët promovojnë vlerat e tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës fetare.
Last modified: 28 Dhjetor, 2022