MASHT

Ministrja Nagavci ka takuar rektorët e universiteteve publike në Kosovë

26 Dhjetor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim rektorët e universiteteve publike në Kosovë, me të cilët ka diskutuar rreth procesit të standardizimit të satuteve dhe zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Financimin e Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë Bazuar në Performancë.

Ministrja, Arbërie Nagavci fillimisht foli për politikat arsimore në arsimin e lartë dhe mbështetjen e plotë të Ministrisë së Arsimit, për sa i përket ndryshimeve statutore, të cilat pritet që të jenë në linjë me ndryshimet e kohës, si dhe nevojat e kërkesat e tregut të punës.

Ministrja Nagavci theksoi se, MAShTI ka ofruar përkrahje institucionale edhe gjatë procesit të hartimit të Statutit të ri të UP-së, i cili është miratuar në Qeveri pa asnjë ndryshim, proces i cili është mbështetur nga ekspertë vendor dhe ndërkombëtarë.

Përveç rishikimit të statuteve të universiteteve, Ministrja rikujtoi edhe miratimin UA për financimin e universiteteve në bazë të performancës, i cili mbështetet në kriteret si: numri i studentëve aktivë, programet mësimore dhe puna kërkimore.

Mënyra e financimit të universiteteve publike sipas perfomancës, sipas ministres Nagavci do të fillojë me Universitetin e Prishtinës dhe do të vazhdojë edhe me universitete të tjera, proces i cili do të zbatohet hap pas hapi, duke adresuar të gjitha kërkesat dhe specifikat e universiteteve.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu tha se, pajtohet që të ketë standardizim të statuteve, ndërsa bëri të ditur se UP ka formuar grupin punues për hartimin e dokumenteve për zbatimin e UA për financim në bazë të performancës.

Last modified: 26 Dhjetor, 2024